Policia ftohet të mbledhë prova për rastin Rikalo

Policia ftohet të mbledhë prova për rastin Rikalo

Për rreth 3 orë, Festim Beqiri është marrë në pyetje nga hetuesit e Policisë së Kosovës. Ai ka rrëfyer para tyre atë që e kishte treguar edhe për KTV-në javën e kaluar: pretendimet për keqtrajtim të shqiptarëve para e gjatë luftës nga ministri aktual i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“Ata që kam pasë me dhanë, e dhash. Jom mundu në mënyrën më të mirë me ia sqaru gjithçka”, ka thënë Beqiri për televizionin Kohavision.

Me kërkesë të Prokurorisë, Policia tashmë ka nisur zyrtarisht mbledhjen e informacioneve për rastin ndaj ministrit Rikallo.

Këtë e ka bërë me marrjen në pyetje jo vetëm të Festim Beqirit por edhe banorëve të tjerë të lagjes Dardania në Prishtinë.

Pos në stacion të Policisë, KohaVisioni ka mësuar se hetuesit policorë para disa ditësh kanë qëndruar edhe në vendngjarje.

Beqiri, i cili nuk ka dashur të flasë shumë për dëshminë e tij, me qëllim të mos dëmtimit të hetimeve, ka shpresa që institucionet e drejtësisë do ta dërgojnë rastin deri në fund. /Insajderi.com