Vrasja e 16 vjeçarit Aulon Zeka me katër plumba, për çka janë arrestuar dy të mitur sipas versionit të policisë ka zemëruar jashtëzakonisht shumë shoqërinë e të ndjerit.
Kjo ka bërë që ata të organizojnë protesta duke thirrur që të jepet dënim maksimal për dy të dyshuarit. Një grumbull nxënësish u mblodhën sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të manifestuar indinjatën e tyre me vrasjen e shokut.
Por teksa protesta kaloi e qetë, situata në rrjete sociale për këtë rast nuk është aspak e tillë, sidomos në Instagram.
Insajderi ka bërë një kërkim në Instagram ku Aulon Zeka është një nga emrat më të përfolur, sidomos për shkak të numrit të madh të adoleshentëve që e përdorin këtë rrjet social.
Qindra profile tashmë mbajnë mbishkrimin R.I.P Aulon Zeka, por ata shkojnë edhe përtej.
Mes shumë adoleshentëve të cilët vazhdojnë të kërkojnë dënim maksimal për dy të dyshuarit në vrasjen e Aulon Zekës, janë edhe shumë të tjerë që hapur në postimet e tyre në Instagram të zotohen apo premtojnë që do të hakmerren ndaj dy të dyshuarve që G.H dhe R.G edhe pse ata mund të dënohen.
Është pikërisht një përdorues i këtij rrjeti social që në profilin e tij ka ditë që poston me qindra fotografi në të cilët personat e ndryshëm, shoqëri e Aulonit, janë të gjendje që të hakmerren ndaj vrasësit të të ndjerit.
Ai është një përdorues me emrin Luan Morina, me gjasë i afërm i Aulon Zekës, i cili thotë se është “organizues dhe lider i protestave për Aulonin”. Ai poston brenda ditës me dhjetëra fotografi në të cilat përdorues të tjerë në këtë rrjet i zotohen se do të hakmerren për vrasjen e tij.
“Fëmijë të kriminalizuar” – prodhim i shkollave dhe prindërve shpërfillës
“Shpirtin maje të qetë, se ke lan vallen trima e besnika. E rihapa cështjen edhe s’kam me lonë pa i burgos ata dy, e masi të dalin kem mjau bo 1 dhuratë”, është një nga komentet.
Të tjerët nuk janë të gatshëm të bëjnë “dhuratë” për dy të dyshuarit se kanë kryer vrasjen e Aulon Zekës, por janë të gatshëm të ofrojnë edhe armë.
Disa të tjerë zotohen se do ta vrasin, vrasësin e Aulon Zekës edhe në Amerikë, nëse ai ndonjëherë shkon atje.
Janë edhe shumë mesazhe të tjera që publikohen në Instagram e që bëjnë thirrje për hakmarrje në stilin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, një nga kodet më të prapambetura që përdoret në Kosovë për të vënë rregull përkundër faktit se Kosova ka instaluar një sistem të drejtësisë.
Megjithatë duket se këta të adoleshent nuk i besojnë aq shumë këtij sistemi të drejtësisë, andaj edhe kanë vendosur të zotohen që drejtësinë ta bëjnë vet. Madje pa ju friguar as burgut./Insajderi.com