Megjithëse ligjet në Kosovë janë të mirë për të mbrojtur punëtorët, punëdhënësit nuk po i respektojnë ligjet sa duhet që ata të kenë kontrata pune dhe që të paguhen me rregull.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi, deklaroi se në Kosovë një numër i madh i të punësuarve në sektorin privat janë pa kontrata pune.
“Punëtorët e sektorit privat po ballafaqohen me shumë probleme nga viti në vit. Pronarët e kompanive dhe qeveria nuk kanë qenë të interesuar të zgjidhin këto probleme që janë jetike për punëtorët”, tha ai për televizionin publik.
Azemi bëri me dije se mbi 150 mijë punëtorë që punojnë në Kosovë nuk janë të regjistruar askund.
“Shumë kompani po shkelin ligjet duke mos regjistruar punëtorët që punojnë në Kosovë, kjo është shkelje ligjore dhe duhet të ndërmerren masa”, tha ai.
Sipas tij si sindikatë kanë bërë inspektime.
“Ka kompani të mëdha që nuk i ka askund të regjistruar punëtorët, po ashtu punëtorët janë të interesuar për të ikur në Gjermani për të punuar”, tha ai.
Azemi tha se punëtorët që janë pa kontrata pune më shumë janë në ndërtimtari dhe në hotelieri.