Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Enver Hasanit për rastin e UP-së

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Enver Hasanit për rastin e UP-së

Gjykimi ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani dhe dy të akuzuarve tjerë, Haki Veliu dhe Albert Rakipi do të vazhdojë sot prej orës 13.00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hasani, Veliu dhe Rakipi po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Në seancën e fundit të mbajtur më 25 korrik 2017, mbrojtjen e tij e kishte dhënë drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), Albert Rakipi.

Po ashtu, në këtë seancë ishte dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, zëvendësdrejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako.

Në anën tjetër, më herët gjatë këtij gjykimi, Enver Hasani kishte vendosur të mbrohej në heshtje, ndërsa i akuzuari tjetër Haki Veliu, kishte paraqitur mbrojtjen e tij para gjykatës.

Në seancën e 25 korrikut, trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtarit Arben Hoti, kishte vendosur të refuzoi propozimin e prokurorisë speciale lidhur me dëgjimin e dëshmitarit, Marian Demaj, me arsyetimin se deklarata e tij është lexuar në shqyrtim gjyqësor dhe si e tillë është provë e papranueshme.

PSRK pretendon se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale. Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro./Betimi për Drejtësi/