Muhaxheri akuzohet për “Borean” – mbrohet me thënien e Martin Luther King

Muhaxheri akuzohet për “Borean” – mbrohet me thënien e Martin Luther King

Raportimi i Insajderit në lidhje me projekti multi-milionësh në Pejë i titulluar “Borea” që lidhet me turizmin në Pejë është bërë temë debati në emisionin “Debat Pernime” ku kanë qenë të ftuar kandidatët për kryetar të komunës.

Komuna e Pejës më 19 prill të këtij viti shpalli fitues për ndërtimin e projektit “Borea”, kompaninë  “Filav S.A”, e cila është në konzorcium me kompaninë italiane “Leitner AG”.  Krasniqi është aksionar në “Filav S.A” bashkë me Philip Gauset.

Por, deri tek shpallja fitues e këtij konzorciumi në proces kanë ndodhur një sërë veprimesh të dyshimta. Insajderi kishte zbuluar prapaskenat e vendimmarrjeve të dyshimta në projektin e ndërtimit të qendrës së skijimit në Pejë.

Prapaskenat e “Borea”-s multimilionëshe

Për realizimin e projektit “Borea”, Komuna e Pejës i ka ofruar partnerëve privat 200 hektarë tokë për ndërtimin e qendrës së skijimit, ndërsa 1 hektarë për ndërtimin e hotelit, i cili do të jetë pjesë e kompleksit. Kohëzgjatja e partneritetit publiko-privat parashihet të jetë 40 vite.

Por, Insajderi kishte zbuluar se janë ndërmarrë veprime të dyshimta gjatë procesit të tenderimit për ndërtimin e qendrës së skijimit në Pejë

Insajderi kishte siguruar raporte interne të kompanisë “Filav S.A” me bazë në kantonin e Fribourgut, në Zvicër. Aty tregohen detaje që shpërfaqin dyshime të mëdha për favorizim të kompanisë “Filav S.A”. Një datë që figuron në këto raporte ka rëndësi të madhe. Është data 30 nëntor 2016.

Bazuar në regjistrat e biznesit në Zvicër, pikërisht me këtë datë është ndryshuar emri i kompanisë nga pronarët Krasniqi e Gauset. Deri më këtë datë kompania “Filav S.A” quhej “Fiholz S.A”. Arsyeja pse është ndryshuar emri i kompanisë nuk tregohet.

Të pandryshuar mbesin emrat e pronarëve. Gauset dhe Krasniqi ishin të vetmit pronar edhe në “Friholz”.

Historia e kësaj kompanie me projektin “Borea”,  nisi një vit para mbajtjes së konferencës së investitorëve në Pejë, ku biznesmenët ftoheshin të konkurronin për këtë projekt. Ishte data 10 shtator e vitit 2015, kur kompania “Friholz” publikoi në kanalin  e saj në yotoube një video 54 sekondëshe.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Pejës, Fatmir Gashi tha se nuk është kundër këtij projekti, por ka pasur një akzuë për kryetarin aktual.

“Nuk ka njeri që ka kundërshtuar Borean sepse ky projekt duhet të shkojë përpara. Por mungon transparenca e cila nuk është siguruar aspak nga kryetari”, ka thënë Gashi.

E kryetari i Pejës, dhe kandidati për kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se projekti “Borea” nuk e ka asnjë parregullsi dhe se ky projekt ka qenë një ëndërr për shumë qytetarë.

“Tash, nuk e kam pse jemi në garë, por Borea është ëndrra e Pejës. Një qytet pa ëndrra duhet të vdes sepse nuk ka sesi të jetojë. Ne e kemi një ëndërr të madhe dhe me ndërtimin e Boreas i krijojmë të gjitha kushtet me e zhvillu rajonin e Pejës”, ka thënë Muhaxheri.

“Por kujtoje atë të Martin Luterit që thotë ‘I have e dream’ në 67-ën për barazi, por unë e kam parë një ëndërr të qytetarëve të Kosovës që kanë punuar që kjo me u ndërtu”, ka thënë ai. /Insajderi.com