"Mbi të gjitha kryeministri i quajti dy joprofesional anëtarët tanë ndërkombëtar që i kemi pasur në bord: profesorët Herbert Amato nga James Madisson University". Drejtori i shkarkuar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKK rrëfen për punën e Bordit të AKK-së dhe për shkarkimin e befasishëm nga kryeministri Haradinaj.
Blerim Rexha është ndier i ofenduar dhe i fyer nga kryeministri Ramush Haradinaj. Drejtori i shkarkuar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë Kosovare të Akreditimit së bashku me tetë anëtarë të bordit, ka thënë se mënyra se si kryeministri mori vendimin për largimin e tyre nga puna ka qenë joetike.
Fyerje të madhe e ka quajtur Rexha edhe faktin se kryeministri Haradinaj i ka cilësuar si joprofesional dy anëtarët ndërkombëtar të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKK, profesorët: amerikanin Herbert Amato dhe gjermanin Christian Tauch.
“Mbi të gjitha kryeministri i quajti dy joprofesional anëtarët tanë ndërkombëtar që i kemi pasur në bord: profesorët Herbert Amato nga James Madisson University; vetëm sa për t’iu përkujtuar, universiteti prej nga vjen profesori Amato ka mbi 600 milion qarkullim vjetor buxhet dhe anëtarin e dytë Dr. Christian Tauch që vjen nga drejtoria e shoqatës së Konferencës së Rektorëve gjermanë. T’i quash këta persona se nuk janë njohës të arsimit është një ofendim”, ka thënë Rexha, në një interivstë për portalin Telegrafi.
Ish-drejtori i Bordit të AKK-së ka deklaruar se e ka pasur të vështirë se si t’ua shpjegojë vendimin për shkarkim, dy anëtarëve ndërkombëtar, shkruan Insajderi.
“Unë ndihem i ofenduar prej formës së vendimmarrjes dhe kështu u kam thënë edhe atyre. Çka tu themi dy profesorëve, çka tu themi Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Rexha. “Jo vetëm unë, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të bordit jemi ndier të ofenduar nga Kryeministri, me mënyren se si ai na quan se nuk jemi kompetent në vendimmarrje dhe na quan se nuk kemi etikë”.
Rexha ka kritikuar kryeministrin Haradinaj. Ka thënë se nuk e ka pasur të qartë vizionin e tij për mënyrën se si ai dëshiron të funksionojë arsimi i lartë në Kosovë. “Unë dhe anëtarët e tjerë nuk e kemi të qartë vizionin e kryeministrit Haradinaj për Arsimin e Lartë”, u shpreh ai.
Sipas ish-drejtorit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKK, fakti pse kërkesa e Haradinajt për shkarkimin e bordit është e befasishme vie si pasojë e mënyrës se si u kumtua shkrakimi. Blerim Rexha ka treguar për një takim që ka pasur me ministrin e ri të Arsimit, Shyqeri Bytyqi, gjatë javës së kaluar.
“Të them të drejten në atë moment [kur erdhi vendimi për shkarkimin e bordit v.j] ne ishim të përgatitur të bëjmë në vizitë në Zyrën për Zhvillim të Austrisë, dhe mësuam vetëm nga mediat për shkarkimin. Unë takova të premten e kaluar ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi. Takimi zgjati rreth 15 minuta dhe ishte më shumë i karakterit njoftues dhe me kaq përfundoi takimi”, ka thënë Rexha.
Në vendimin e marrë nga Ministria e Arsimit të hënën thuhej se shkaqet e shkarkimit të bordit të KShC në AKK, janë për arsye të disa parregullsive që kanë ndodhur në proceset e akreditimit të programeve.
E për këto parregullësi të pretenduara nga MASHT-i, ka reaguar dje edhe ish-anëtari i Bordit të AKK-së, Lul Raka. Ai, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Haradinaj, i ka sqaruar atij për disa nga ato “parregullësitë serioze” për të cilat fliste MASHT-i.
“Kam qenë kategorikisht dhe jam ende kundër hapjes së drejtimeve të mjekësisë së përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. Rezonanca dhe UBT kanë aplikuar, por akreditimi i tyre është refuzuar nga Agjencia (me sygjerimin tim)”, deklaroi dje Raka.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Agjencinë Kosovare të Akreditimit është institucion që funksionin si i pavarur, derisa Bordi i kësaj agjencie emërohet nga Qeveria e Kosovës. /Insajderi.com