
“Asnjëherë nuk kam me ta falë gjakun e djalit dhe pa ta fut plumb në ballë nuk e lë”, kanë qenë fjalët me të cilat i akuzuari për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, Haxhi Ahmeti, i është drejtuar të akuzuarit tjetër në këtë rast, njëherit edhe i dëmtuar, Bajram Ahmeti.
Në seancën e së mërkurës, pas këtij kërcënimi, i akuzuari Haxhi Ahmeti ka fyer edhe prokuroren e rastit, Shpresa Bakija, duke thënë se “krejt këto gjëra i ka bërë prokurorja, krejt fajin ajo e ka”.
Kërcënimi ndaj të dëmtuarit dhe fyerja ndaj prokurores kishte ndodhur gjatë kohës kur i dëmtuari po e jepte dëshminë e tij.
Gjatë dëshmisë së tij, Bajram Ahmeti bën të ditur se të akuzuarin Haxhi Ahmeti e ka axhë, kurse të akuzuarin tjetër në këtë rast, Gani Ahmetin e ka djalë të axhës.
Bajrami deklaroi se ditën kritike ishte informuar nga familjarët se kishin dëgjuar të shtëna gjatë natës, andaj kishte vendosur që të mos dalë vetëm në qytet dhe për këtë kishte thirr Et’hem Bokshin për t’a marrë.
“Me tu nisur nga shtëpia, na kanë dalë në pritë duke shtënë me armë në makinën ku ishim ne. Pasi që makina u prish dhe nuk ndizej, Et’hemi ka dalë nga makina dhe është larguar kurse unë jam shtrirë në tokë pa lëvizur. Aty kam dëgjuar zërin e të akuzuarit Haxhi, duke thënë “t’kom ndreq mirë dhe tash e nxjerra gjakun e djalit”…”, deklaroi i dëmtuari Bajram Ahmeti.
Pas këtyre fjalive ndodhi edhe kërcënimi dhe fyerja e lartpërmendur, pas të cilave prokurorja Bakija kërkoi nga kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, që seanca të ndërpritet.
Ndryshe, në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bakija, i akuzuari Gani Ahmeti, e pranoi fajësinë për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa, të akuzuarit Haxhi Ahmeti dhe Albert Kameri, u deklaruan të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen.
Në anën tjetër, i akuzuari dhe njëherit i dëmtuari Bajram Ahmeti, në shqyrtimin e kaluar e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Pas deklarimit të të akuzuarve, në cilësi të dëshmitarëve u dëgjuan Et’hem Bokshi, Mimoza Ahmeti dhe Hidije Ahmeti.
Dëshmitari Et’hem Bokshi, deklaroi se ditën kritike Bajram Ahmeti e kishte thirr në telefon që të shkonte në fshatin Smolicë për ta dërguar në qytet. Mirëpo, sipas Bokshit, me të shkuar aty iu kishin dalë në pritë disa persona dhe me anë të armëve kishin shtënë në automjetin ku ishin ata të dy.
“Nga të shtënat e dëgjuara besoj se kanë qenë dy persona mirëpo nuk kam mundur t’i vërej pasi që menjëherë kam vrapuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes” deklaroi Bokshi.
Dëshmitarja Mimoza Ahmeti deklaroi se në ditën kritike ka qenë në shtëpi, në fshatin Smolicë. Sipas dëshmitares, bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Gani Ahmeti kishte dalë herët në mëngjes dhe i njëjti nuk e kishte informuar atë lidhur me ngjarjen, pasi siç tha ajo, nuk ka dashur t’a shqetësojë.
Tutje, dëshmitarja e tretë, Hidije Ahmeti deklaroi se i akuzuari Gani Ahmeti e kishte thirr ne telefon për të shkuar ta marrë në fshatin Dujakë, e më pas kishin shkuar në Prishtinë.
Dëshmitarja Ahmeti tha se rrugës për në Prishtinë, i akuzuari Gani Ahmeti i kishte treguar se është gjuajtur me armë me Bajram Ahmetin.
Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdojë më 28 shtator, në ora 10:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Haxhi Ahmeti dhe Gani Ahmeti dyshohen se më 21 prill 2017, rreth orës 9:30, pasi më parë ishin marrë vesh, i kanë zënë pritën të dëmtuarit Bajram Ahmeti, me qëllim hakmarrje për vrasjen e të birit-vëllait Ali Ahmeti. Të njëjtit, sipas aktit akuzues, me armë Ak-47 kanë shtënë në makinën ku gjendej Bajram Ahmeti dhe Et’hem Bokshi, me qëllim të privimit nga jeta.
Për këtë, Haxhi dhe Gani Ahmeti akuzohen të kenë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, dhe armëmbajtjes pa leje.
Ndërkaq, Bajram Ahmeti akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi në vendin e ngjarjes i është gjetur një revole e tipit “CZ Zastava”.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, Albert Kameri ka kryer veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprave penale, pasi dyshohet se i ka ndihmuar Haxhi Ahmetit që t’i shmanget arrestimit./Betimi për Drejtësi/