Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur kundër votimit të një marrëveshjeje disa milionëshe financiare që njihet si IPA. Në seancën e së hënës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në ratifikimin e marrëveshjes së IPA-s, nëse kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk jep llogari lidhur me atë se si është formuar Qeveria e Kosovës.
Marrëveshja financiare IPA që është hiq më pak se 71.15 milionë euro nuk do ta ketë përkrahjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shefi i GP të LDK-së Avdullah Hoti u shpreh i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhte derisa Haradinaj të tregojë për formimin e Qeverisë së tij. “Nëse ju nuk qëndroni për të dhënë llogari si është formuar qeveria, për pazaret politike, ne nuk do të qëndrojmë për votimin e marrëveshjes IPA që kërkon 2/3 votat e opozitës”, tha Hoti.
Ndërkaq, këto deklarata të Hoti i ka quajtur të dëmshme deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Kur është dashur që të mendohet për çështjet që ndërlidhen me të mirën e përbashkët, këta thanë që do të votojnë kundër program të IPA-s të Bashkimit Evropian”, tha Krasniqi, duke shtuar se mosvotimi i kësaj Marrëveshjeje është i dëmshëm për Kosovën.
Kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2016, pjesa e parë që përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare, si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.
Ditë më parë edhe ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha theksoi rëndësinë e asistencës së IPA-s dhe përfitimet që ka Kosova dhe qytetarët e saj nga kjo asistencë, duke kërkuar përkushtim nga të gjitha institucionet për të zbatuar këtë Marrëveshje Financiare.
Rreth dy javë më parë Hoti kishte takuar Angelina Eichhorst, përgjegjëse për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian të cilën kishte thënë se e kishte siguruar “se LDK-ja do të luajë rol kyç në proceset e integrimit evropian të Kosovës”.
“Si parti opozitare, LDK-ja do të kujdeset që të mos lejojë që Kosova të devijojë nga agjenda eurointegruese e Kosovës” kishte shkruar Hoti pas takimit.
Këtë çështje Hoti e ka ngritur edhe gjatë debatit të sotëm në Kuvend, ku ka thënë se tashmë e ka paralajmëruar Haradinajn.
Sot ndërkaq komisioni për Integrime Europiane e ka shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2016 midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e tij.
Por çka është realisht IPA ( Instrumenti për asistencë të Para -Anëtarësimit)
IPA – Instrumenti për Asistencë të Para-Anëtarësimit- është një mekanizëm i bashkëdyzuar i krijuar nga BE për të ofruar ndihmë në mënyrë efikase Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Nevojat dallojnë në mes të vendeve kandidate – Turqisë, Kroacisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë – si dhe kandidatëve potencialë – Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës , Malit të Zi dhe Serbisë. IPA është dizajnuar që t’i plotësojë në mënyrë precize këto nevoja me një instrument të vetëm por fleksibil.
Projektet që i mbështetë janë të përgatitur në atë mënyrë që vendet kandidate dhe ato kandidate potenciale t’i afrojë në linjë me standardet e BE-së.
IPA është dizajnuar për të maksimizuar fokusin, precizitetin dhe ndikimin në përmbushjen e nevojave të para anëtarësimit nëpërmes një kornize të vetme të thjeshtëzuar. IPA sjellë një shkallë të pajtueshmërisë dhe konsistencës në veprimin e Bashkim- it, duke arritur rezultate edhe më të mira me burimet në dispozicion. IPA zëvendëson pesë instrumentet e mëhershme të para-anëtarësimit të BE- së – Phare, ISPA, SAPARD, programin e Turqisë, dhe CARDS. IPA do t’i ndihmojë vendeve kandidate që të implementojnë në tërësi legjislacionin e BE-së (“Community acquis”) në kohën që ata bëhen Shtete Anëtare.
Vendet kandidate potenciale ndihmohen që të përafrojnë legjislacionin e tyre në mënyrë progresive me legjislacionin e BE-së. Instrumenti i ri është po ashtu i përcaktuar që në mënyrë progresive t’iu besojë administratave të vendeve përfituese menaxhimin e fondeve të BE-së. Përveç rritjes së ndenjes së pronësisë në projektet e para-anëtarësimit, kjo po ashtu do u ndihmojë vendeve që të përgatiten për metodat e menaxhimit që ata do t’i përdorin pasi që të vijnë në pozitë që të përfitojnë nga fondet si Shtete Anëtare të BE-së.
IPA ofron asistencë në forma të ndryshme për vendet që ndërmarrin reforma politike dhe ekonomike në rrugën e tyre drejt anë-tarësimit në BE: investime, kontrata prokurimi apo subvencione; Ekspertë të Shteteve Anëtare për të ndërtuar bashkëpunim administrativ; veprime në mbështetje të vendit përfitues; ndihmë në implementimin dhe menaxhimin e programeve; në raste të jashtëzakonshme, mbështetje buxhetore. Asistenca lidhet me përmirësimin e kushteve në vendet përfituese dhe afrimi i tyre dhe qytetarëve të tyre me BE-në./GazetaExpress/