Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka kërcënuar Bashkimin Evropian (BE), për politikat e saj të zgjerimit.
Në një shkrim për portalin panevropain “EuroActiv”, Thaçi ka shkruar se marrëdhënia e Komisionit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe politika e zgjerimit ka qenë e ndërlikuar.
Në këtë shkrim Thaçi ka shkruar se politikat e BE-së kishin efekte shkatërruese.
“Përderisa të gjithë janë të njohur me politikën se një zgjerim deri në 2019 ishte vështirë të realizohej, politika e qartë e BE-së kishte efekte shkatërruese në rajon në aspektin e minimit të përpjekjeve të reformës”, ka shkruar Thaçi.
Mirëpo kjo nuk është hera e parë që presidenti i vendit kërcënon Bashkimin Evropian. Thaçi ka kërcënuar BE-në të paktën katër herë.
Në vitin 2015 Thaçi sa ishte ministër i Punëve të Jashtme kishte drejtuar akuza të rënda Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës”, kishte shkruar Thaçi.
E pas marrjes së postit të presidentit Thaçi nuk ishte pajtuar me kushtin e BE-së që të votohet demarkacioni për liberalizimin e vizave.
Thaçi kishte thënë se as vendet e BE-së nuk e kanë të rregulluar çështjen e kufijve.
“Edhe pse unë nuk pajtohem me kushtin e BE-së që të votohet demarkacioni për liberalizimin e vizave, sepse edhe vendet e BE-së, ende nuk e kanë të rregulluar çështjen e kufijve, por na është vu ky kusht dhe besoj që ne duhet ta përmbushim në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm”, kishte shkruar Thaçi në vitin 2016.
E kërcënimi i fundit i presidentit Thaçi për Bashkimin Evropian vjen pas atij që e kishte bërë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Edi Rama kishte thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.
E Thaçi kishte forcuar kërcënimin e Ramës, duke thënë se Bashkimi Evropian është pa vizion dhe lidership.
“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë Thaçi.
Kushti i fundit për liberalizimin e vizave për kosovarët, Bashkimi Evropian ka vënë çështjen e përfundimit të demarkacionit me Malin e Zi. /Insajderi.com