Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e anëtarit të VV-së në Shqipëri

Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e anëtarit të VV-së në Shqipëri

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se kanë marrë njoftim nga Policia e Shqipërisë për ndalimin e të dyshuarit për terrorizëm, Sadri Ramabaja. Kanë treguar se janë në kontakt me policinë shqiptare për procedurat e mëtejshme.

“Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit. Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritet e Shqipërisë, me të cilët është në kontakt për procedura të mëtutjeshme lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë Gazetës Express.

Ramabaja ka tentuar të lëshojë Shqipërinë por është ndalur pasi është zbuluar se ai është në kërkim nga Republika e Kosovë

“Ramabaja është ndaluar nga Policia e Durrësit për verifikim dokumentesh. Por, dokumentet i kanë dalë në rregull. Ndërsa, nga verifikimi që i ka bërë Policia e Durrësit, ai rezulton se ka qenë i shpallur në kërkim në Kosovë”, ka thënë në Policinë e Shqipërisë.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramabaja kishte publikuar thirrjen e Prokurorisë Speciale, e cila dyshonte se ai ishte i përfshirë në një sulm terrorist në Kosovë si dhe dyshohej se bënte plane për vrasjen e liderëve shtetërorë.

Rasti për të cilin dyshohet Ramabaja ka të bëjë me plagosjen e ish-anëtarit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat. Plagosja e tij kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentim vrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar, që jetonte në Zvicër.