Lidhja e kryeministrit: Nga Istogu i bukur i Rugovës, në Deçanin tim, e deri te Prizreni historik

Lidhja e kryeministrit: Nga Istogu i bukur i Rugovës, në Deçanin tim, e deri te Prizreni historik

Ndonëse u kritikua për mungesë vizioni qeverisës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar Konventën e partisë së tij, AAK, për t’i shpalosur disa detaje nga programi.

Në pika të shkurtra e ka përfshirë krejt Kosovën.

Para kandidatëve të AAK-së për kryetarë komunash, ai doli në foltore dhe iu drejtuar atyre, duke kërkuar shumë punë, por punë të përbashkët edhe me Qeverinë.

Ndër tjera, kryeministri nisi të plasë edhe për infrastrukturën. Premtoi lidhjen e tri kalave të civilizimit në Kosovë.

Sipas tij, kjo lidhje do të nisë nga Istogu i bukur i ish-presidentit Ibrahim Rugova, më pas do të kalojë nëpër Deçanin e tij, për të cilin tha se dha shumë për vendin dhe nuk e mori atë që e meriton, drejt Gjakovës e që do të përfundojë në Prizrenin historik.

“Do ta përfundojmë infrastrukturën rrugore. Do t’i lidhim tri kalatë e civilizimit të Kosovës: Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin. Ajo do të fillojë në Istogun e bukur të Ibrahim Rugovës për të shkuar në Pejë, e prej aty edhe në Deçanin tim. Në Deçanin tim që dha shumë për Kosovën e që nuk mori aq sa i takon. Ka ardhur dita që edhe Deçani të dalë nga izolimi përmes një autostrade e cila do të shkojë në Gjakovë për t’u lidhë me Prizrenin”, ka thënë kryeministri gjatë fjalimit të tij.

Ai ka premtuar se nuk do të mbeten pa rrugë as qytetet e vogla.

“Në qeverinë time asnjë qytet nuk do të mbetet anash. Do të lidhen edhe qytetet e vogla”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Haradinaj nuk harroi t’i thotë disa fjalë për kryeqytetin. Tha se me qeverisjen e AAK-së atë do ta bëjnë metropol.

Madje tha se Ligji për Prishtinën tash e sa kohë po qarkullonte nëpër dhomat e qeverive të kaluara.

“Prishtinën do ta bëjmë metropol. E patë Ligjin për Kryeqytetin që po qëndronte nëpër dhomat e qeverisë për vite. Ne për pak ditë kryeqytetin e bëmë me Ligj”, ka thënë kryeministri.

“Për neve Prishtina është pasqyra e shtetit tonë, është qendra e dijes që e kanë lënë në errësirë, është nyja e Kosovës që e kanë bërë lëmsh, nuk dihet as ku fillon e ku mbaron, nuk dihet as kush ndërton dhe as kush  rrënon dhe as kush e drejton”, ka shtuar ai.

Fjalimin e tij e ka përfunduar me një porosi dhe lutje për kandidatët për kryetarë komunash nga AAK-ja.

“Kandidatë për kryetarë të komunave, Zoti na ndihmoftë se shumë punë kemi”, ka përfunduar ai./Insajderi.com