“S’ka njeri në Kosovë që ka pranu ma shumë kërcënime se sa Vehbi Kajtazi”

“S’ka njeri në Kosovë që ka pranu ma shumë kërcënime se sa Vehbi Kajtazi”

Vehbi Kajtazi është personi që ka pranuar më së shumti kërcënime në Kosovë, deklaroi sot analisti politik nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, Agron Demi.

Por, pavarësisht kërcënimeve që mori, siç thotë Demi, organet e sigurisë i injoruan ato. Analisti politik thotë se sulmi ndaj kryeredaktorit të Insajderi erdhi si pasojë e heshtjes së organeve të sigurisë ndaj kërcënimeve kundër Kajtazit.

“Nuk ka njeri në Kosovë që ka pranu ma shumë kërcënime se sa Vehbi Kajtazi. Njëkohësisht, nuk ka njeri në Kosovë kërcënimet ndaj të cilit janë injoru kaq shumë nga institucionet e sigurisë. E kur institucionet heshtin ndaj kërcënimeve, zakonisht ato pastaj shoqërohen edhe me grushte e me sulme ma të rënda”, ka thënë Demi.

Demi ka kritikuar autoritetet kosovare.

“Dhe, si gjithmonë, të parët që solidarizohen janë institucionet. Hipokrita”, ka deklaruar Demi, përmes një shkrimi të publikuar sot në rrjetin social Facebook.

Kryeredaktori i Insajderi Vehbi Kajtazi u sulmua sot rreth orës 14:30 në Prishtinë, tha Policia e Kosovës në një njoftim. Sipas policisë, Kajtazi u sulmua nga disa persona, të cilën nuk janë identifikuar ende. /Insajderi.com