
Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, në një postim në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar si një arritje historike për Bullgarinë faktin që Shqipëria njohu minoritetin bullgar në vend.
“Pas 104 vitesh Shqipëria e njohu bashkësinë etnike bullgare”, shkruan kryeministri Borissov, sipas të cilit kjo njohje është rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme që diplomacia bullgare ka bërë në mbrojtje të të drejtave të bullgarëve jashtë kufijve të vendit.
Gjithashtu, kryeministri bullgar në postimin e tij i dedikon një falënderim mikut të tij, kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili sipas Borisov mbajti premtimin që të mos shkeleshin interesat e komunitetit bullgar në Shqipëri, raporton Tch.
Njohja e minoritetit bullgar në Shqipëri u bë pas një kërkese zyrtare të qeverisë bullgare, e cila nuk ishte dakord me variantin fillestar të ligjit për minoritetet.
Ndërkohë, kundërshti të forta për njohjen e minoritet bullgar ka patur nga minoriteti maqedonas në Shqipëri, i cili pretendon se njohja e atij bullgar cenon të drejtat e pakicës maqedonase.
Ligji për njohjen dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri tonë kaloi mbrëmjen e së premtes në Parlament, me 102 vota pro.