Fundi i turpshëm i BDI – së

Fundi i turpshëm i BDI – së

Në politikë asgjë nuk është e përjetshme, siç nuk është e tillë as forca e një partie apo elite partiake. Pra, ka ngritje e rënie. Dhe kur flitet për ngritje dhe rënie ato mund të jenë të ngadalta, të dhimbshme, të lavdishme por thuajse kurrë si rënia e BDI’së – e turpshme. Rënia e Bashkimit Demokratik për Integrim është e turpshme sepse ajo erdhi në skenën politike bujshëm dhe me përkrahjen e të gjithë shqiptarëve, ndërsa largohet nga skena politike duke i luftuar partitë opozitare shqiptare me ndihmën e LSDM’së maqedonase. Dhe si e tillë, mund të thuhet se BDI do të mbahet mend si partia e vetme shqiptare të cilën e bëri të fortë mbështetja thuajse gjithëpopullore, por e cila në fund deshti ta mposhtë popullin e vet vetëm për interesa personale të drejtuesve të saj. Kjo dëshmon se dështimi i BDI – së është i turpshëm për këtë parti, por njëkohësisht do t’i shërbejë si mburrje partive të reja që e mposhtën një parti e cila thuajse tërë kohën e luftonte popullin e saj dhe ata që e kishin votuar duke ua shfrytëzuar mjerimin në të cilin i solli.

Andaj, derisa rënia e Gruevskit ishte tragjike për vet atë por jo edhe për votuesit e tij të cilëve u mbeti besnik deri ne fund (por thjeshtë ishte fund i pritshëm për një drejtues të një regjimi kriminal), rënia e Ali Ahmetit dhe e BDI – së është fundi i turpshëm i shërbëtorëvë të një regjimi antishqiptarë, është fundi i një garniture politike që i përbuzi ata të cilët i besuan asaj, fund i një elite partiake e cila e mposhti popullin e saj dhe që nuk diti të largohet nga politika duke e ruajtur sadopak një pikë dinjiteti politik. Në vend të kësaj, kjo parti zgjodhi ta luftojë opozitën shqiptare me ndihmën e LSDM’së maqedonase. Dhe rrjedhimisht mbetet e paqartë nëse të zgjedhurit e kësaj partie në zgjedhjet lokale janë shqiptarë të LSDM’së apo të BDI – së.

Një vit më parë, në një shkrim autorial kisha paralajmëruar se fundi i BDI’së nuk është larg, por ngutja e opozitës mund ta shpëtojë. Asokohe, BDI e dinte se përballë kishte dy parti të reja që paralajmëronin fundin e saj. Forcimi i tyre, do të shënonte përfundimisht një epokë të re në politik bërjen në Maqedoni. Andaj, përmes një marionete të infiltruar si “opozitar” (Vesel Memedit), synonte që ngutshëm dhe pariparueshëm ta lëndonte këtë proces.
Sikur opozita të bashkohej asokohe, asnjëherë nuk do të dihej forca reale e saj ngaqë partitë e reja ishin parti jashtëparlamentare, si të tilla ato nuk kishin mekanizma për ta mbrojtur votën. Në anën tjetër, BDI kishte tërë arsenalin në dispozicion që ia mundësonte Nikolla Gruevski. Skenari ishte i qartë: me ndihmën e “mijalkovëve” – siç vepron tani me ndihmën e “verushevskave” synonin ta dëmtonin në lindje përpjekjen për ndryshimin e madh. Sepse ata më mirë se kushdo tjetër e dinin se nëse dy partitë e pastra shqiptare forcohen, fundi i tyre është i pashmangshëm. Dhe ai fund tani erdhi. BDI në koalicion me padronin e saj të ri LSDM është në balotazh me Lëvizjen BESA në 7 komuna, ndërsa me Aleancën në 5 komuna. Vota opozitare tani është e betonuar dhe dyfish më e fuqishme sesa forca artificiale e BDI’së.
Sot, pas një viti, mund të themi se 29 Tetori me partitë e reja të bashkuara do të sjellë edhe lajmin për humbjen e madhe të BDI’së.

Mbrëmë BDI festoi e kërcënoi këdo që i dilte përpara. Ishte e dehur nga gëzimi pse kishte arritur të hynte në balotazhe. Festonte si parti e tretë dhe përpiqej të paraqitej si fitimtare ngaqë tashmë kishte gjetur një padron të ri maqedonas, LSDM-në e cila e kishte përkrahur në të gjitha komunat me popullatë të përzier me kushtin e vetëm – që BDI të vazhdojë të jetë shërbëtore e verbër e saj.

Mbrëmë BDI u përpoq të fsheh edhe votat e torbeshve dhe romëve, si dhe të vërtetën se në 7 komuna është në balotazh me Lëvizjen BESA që ka marrë vota të pastra shqiptare, e në 5 të tjera me Aleancën.
Mbrëmë BDI përpiqej të rivendoste standardin e dikurshëm kur bashkëqeversite me Nikolla Gruevskin se si shqiptarë vlen vetëm nëse paraprakisht kalon testin e kombëtarisë nga peshorja e një partie maqedonase.
Andaj, jo rastësisht sot këtë lloj fitoreje BDI’së mund t’ia urojë vec një “fituese” si Arbana Xharra.