Pas presionit publik, Policia deklarohet për rastin e Blerim Dinës

Pas presionit publik, Policia deklarohet për rastin e Blerim Dinës

Policia e Kosovës ka reaguar pas heshtjes prej më shumë se 24 orëve për kërcënimin që dy persona i bënë kryetarit të OSHP-së Blerim Dina. Reagimi erdhi pas presionit publik të ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, për të reaguar ndaj rastit të Dinës.

Përmes një komunikate për media, Policia bëri të ditur se ka intervistuar dy persona për rastin e kërcënimit ndaj Dinës: njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa tjetri është liruar.

“Ndërsa sot më datë  17.10.2017 janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve për këtë rast, ndaj njërit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit 48 orë, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në reagimin e Policisë.

Policia thotë se dje ka marrë veprime konkrete për rastin e Dinës dhe shprehet se i ka ofruar siguri kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepronkonform autorizimeve ligjore që ka, ku edhe në rastin konkret menjëherë pas pranimit të informacionit me datë 16.10.2017, rreth orës 17:20 minuta ka ndërmarrë veprime konkrete duke angazhuar njësitet relevante policore për trajtim dhe ofrim të sigurisë ndaj kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-së)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka thënë se “lidhur me rastin në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente janë kryer hetime intensive, duke përfshirë edhe mbledhjen dhe sigurimin e dëshmive relevante qëndërlidhen me rastin sipas procedurës ligjore të paraparë në Kodin e Procedurës Penale.”. /Insajderi.com