Hyseni premton përkrahjen e bujqësisë dhe mbrojtjen e ambientit

Hyseni premton përkrahjen e bujqësisë dhe mbrojtjen e ambientit

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Hajredin Hyseni, dje ka vizituar bujq, të cilëve u ka premtuar përkrahje gjatë mandatit të tij katërvjeçar.

Ai vizitoi familjen Vokrri nga Sfeqla, për të cilën tha se është njëra nga familjet e shumta punëtore, që ekzistencën e siguron nga punimi i tokës.

“Aty pashë vështirësitë e tyre deri në prodhimin e produktit final”, ka thënë Hyseni.

“Të gjithë bujqit i siguroj se në mandatin tim do ta kenë përkrahjen time të pakursyer për t’i tejkaluar problemet e tyre. Do të jenë të barabartë në trajtimin e tyre nga organet komunale dhe në ndihmat që do t’iu ofrohen”, ka shtuar më tej ai.

Gjithashtu, kandidati i PDK-së për të parin e Podujevës, Hajredin Hyseni, ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryetar komune do të kujdesen edhe për mbrojtjen e ambientit.

“Ne konsiderojmë se jemi përgjegjës për ruajtjen e ambientit, si para gjeneratës së sotme, ashtu edhe për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ai.

“Mbrojtja nga ndotja e ajrit, ujit, tokës, ndotja urbane, industriale, kimike, humbja e florës dhe faunës, do të eliminohen me strategji dhe programe të qarta, si dhe me informim të përhershëm të publikut”, ka thënë ndër tjera Hyseni.