Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vazhduar të mërkurën prezantimin e Programit të tij zhvillimor për Prishtinën, i cil" />

Abrashi: Katër vite i humbëm kot, Prishtinën e presin katër vite zhvillim

Abrashi: Katër vite i humbëm kot, Prishtinën e presin katër vite zhvillim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vazhduar të mërkurën prezantimin e Programit të tij zhvillimor për Prishtinën, i cili parasheh zbatimin e 320 projekteve, të cilat janë ideuar nga qytetarët e Prishtinës dhe janë detajizuar nga ekipi i fitores i LDK-së.

“Katër vite i patëm të humbura. Qytetarët e Prishtinës me vullnetin e lirë nuk do të lejojnë që të humbin edhe katër të tjera. Me fitoren tonë prishtinasit i presin projekte zhvillimore, mundësi punësimi për 30 mijë qytetarë, shëndetësi dhe arsim më cilësor, ambient të pastër, 6000 vende për parkim, 10 mijë drunj çdo vit, më shumë gjelbrin dhe kënde lojërash për fëmijë, do të ndërtohet Spitali i qytetit, etj”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka thënë se në vitin e parë Fondi i Punësimit që do të themelojmë ne, do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës, ndërsa kjo shumë do të rritet në vitet në vijim. “Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t’i financojmë idetë e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre. Me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se duke u bazuar në përvojën time të bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal, me asamblistët e zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, pavarësisht partisë apo bindjeve, për të gjetur zgjidhje për problemet e Prishtinës.

Ai potencoi se projekt tjetër me rëndësi është restaurimi i qytetit të vjetër – që lidh kompleksin e xhamive të vjetra me sheshin “Ibrahim Rugova”, duke mundësuar zhvillimin e artizanateve.

“Kjo zonë përfshinë këto monumente: Xhamia e Çarshisë, Çeshma, Muzeu, Xhamia e Jashar Pashës, Sahat kulla, Shtëpia e ASHAK-ut, Xhamia e Mbretit, Hamami i Madh, Kompleksi Emin Gjiku dhe Shtëpia me teqe. Po ashtu ne do të realizojmë edhe projekte tjera, të hartuara sipas kërkesave konkrete që kanë shprehur qytetarët gjatë bashkëbisedimit me ta”, shtoi Abrashi.

Sipas tij, për katër vitet e ardhshme, në Komunën e Prishtinës do të realizojë 320 projekte, për secilin prej tyre ekziston plani i detajuar.

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK ka gjetur kandidatin i cili i bashkon të rinjtë dhe të moshuarit e LDK-së. Ai është shprehur i bindur se LDK dhe kandidati i saj për kryetar të Prishtinës do të fitojnë në zgjedhjet e 22 tetorit.