Kandidati i AAK-së për Kryetar të Pejës, Fatmir Gashi ka lëshuar akuza në drejtim të Kryetarit në detyrë, Gazmend Muhaxheri se e ka institucionalizuar haraçin në komunë. Ka thënë se bizneset janë keqtrajtuar nga pushteti i LDK-së.
Në një intervistë për emisionin Komiteti, Gashi ka folur edhe për problemet e qytetit të Pejës duke filluar nga mbeturinat, ndërtimet pa leje, deponitë e bërllokut e prishjen e shtretërve të lumenjve.
Gashi ka thënë se nëse e merr mandatin e Kryetarit do të përmirësojë gjendjen e arsimit. Ka thënë se do të marrë fund edhe mësimi i kombinuar ku fëmijët e klasave të ndryshme, mësojnë bashkarisht në të njëjtën klasë.
Ky zyrtar i AAK-së ka thënë se do të mbyllen gjashtë shkollat në fshatrat e Pejës ku nuk ka mjaftë nxënës.
Ka premtuar se do të mbyllë deponinë e bërllokut e cila ndodhet afër fshatit të Hajredin Kuçit.