Pacolli: Do ta ndërtojmë një Prishtinë ndryshe

Pacolli: Do ta ndërtojmë një Prishtinë ndryshe

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli, sot u takua me komunitetin e biznesit. Ky komunitet sipas Pacollit është ai i cili nuk ka kursyer asnjëherë gatishmërinë për të ndihmuar në kauzat kombëtare.

“Unë i përgëzoj dhe falënderoj që ky komunitet ka ndarë bukën e gojës për të mirën e kombit tonë, për të mirën e shtetin tonë dhe për formimin e shtetit tonë”, u shpreh Pacolli.

Gjithashtu ai shtoi se, së bashku me komunitetin e biznesit do të ndërtohet një Prishtinë ndryshe dhe për këtë u kërkoi përkrahje në arritjen e qëllimit të tij.

Para tyre Pacolli prezantoi projektin e tij për Prishtinën, ku shihet vizioni i tij si pikënisje se si do të duket ajo në të ardhmen.

Programi për Prishtinën sipas tij është një program i arritshëm dhe i zbatueshëm.

Kujtojmë se pikat kryesore të këtij programi janë: projekti për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në periferi të qytetit, dhe ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Kosovës, të dyja këto me nivele evropiane.