Në veri mund të votohet me letërnjoftime të Serbisë

Në veri mund të votohet me letërnjoftime të Serbisë

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se të dielën do t’i kenë 220 përfaqësues nga ky mision në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, sipas udhëzimeve të KQZ-së qytetarët e veriut do të mundë të votojnë edhe me letërnjoftim të vlefshëm të Serbisë.

Fakti që Kosova ka më shumë votues sesa banorë është pasojë e mospastrimit të regjistrit civil, me ç’rast as lista e votuesve nuk mund të ndryshohet pa u ndryshuar regjistri.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka shtuar se ka gjithmonë rrezik për parregullsi në proces nëse të vdekurit figurojnë në listën e votuesve.

Ambasadori Braathu ka bërë të ditur se edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, i kanë bërë dy rekomandime për institucionet e Kosovës: të bëhet përpjekje e madhe që të hiqen personat e vdekur nga regjistri civil dhe më pas edhe nga lista e votuesve, si dhe të ekzistojë një sistem i unifikuar i adresave në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në zgjedhjet lokale të së dielës do t’i dërgojë 220 përfaqësues në komunat veriore të Kosovës, të cilët do t’i ofrojnë këshilla teknike komisioneve komunale.

Sa i përket mundësisë së serbëve të veriut të Kosovës që në ditën e zgjedhjeve të votojnë me dokumente të Serbisë ambasadori Braathu gjatë kësaj interviste ka thënë se sipas udhëzimeve të KQZ-së një gjë e tillë është e mundur. “Ne ndjekim udhëzimet e KQZ-së dhe kjo e fundit ka marrë një vendim për të ndjekur Ligjin Zgjedhor.

Në Ligjin Zgjedhor ka një listë të dokumenteve të pranuara: letërnjoftimet e vlefshme, që do të thotë, edhe para dialogut të Brukselit por që është rikonfirmuar edhe në dialogun e Brukselit, identitete të vlefshme serbe, patentën e shoferit. Është e shkruar qartë ashtu”, ka thënë Braathu.