Mogherini i thotë opozitës se “Zajdenica” e pasuron Kosovën

Mogherini i thotë opozitës se “Zajdenica” e pasuron Kosovën

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politika të jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini, ka shfrytëzuar praninë e opozitës kosovare në Kuvend për të dhënë garancinë se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë nuk e shkel ligjshmërinë e shtetit të Kosovës.

Sipas Mogherinit, Asociacioni apo “Zajdenica” qysh opozita për 7 muaj i është referuar këtij organi të serbëve në Kosovë, është një hap i fuqishëm i Kosovës drejt BE-së.

“Nuk do të jetë një udhëheqje paralele serbe, por do të jetë brenda ligjeve të Kosovës dhe më lejoni të them se Asociacioni i Komunave Serbe do ta pasuroj Kosovën dhe do të jetë një hap drejt një Kosove më të fuqishme për shkak se do të integroj serbët e Kosovës në vend”, ka thënë Mogherini në një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë, për dallim prej tjerave, mori pjesë edhe opozita që ka kundërshtuar marrëveshjen e Kosovës me Serbinë për formimin e Asociacionit dhe Demarkacionit me Malin e Zi.

Pas 7 muajve, tri partitë opozitare u ndanë por thanë se vazhdojnë të kundërshtojnë këto marrëveshje.