Ata që ofrojnë para për votë, 4 vite do t’i plaçkisin qytetarët

Ata që ofrojnë para për votë, 4 vite do t’i plaçkisin qytetarët

“Ata që ju ofruan para për votë, kur ta marrin komunën do ta kthejnë shumëfish investimin”, kështu porosit votuesit shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, i cili po ashtu shpreh shqetësimin se në këto partitë në pushtet kanë bërë trysni veçanërisht mbi votuesit shqiptarë. Sipas Mehmetit, kryeministri i Maqedonisë është duke e përçarë dhe kriminalizuar shoqërinë shqiptare përmes partisë të cilën tashmë e ka shndërruar në degë të tij.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë të realizuar nga portali Sakte.net

Si i komentoni zgjedhjet lokale në Maqedoni?

Kim Mehmeti: Në Maqedoni, çdo gjë ndryshon, por jo edhe mendësia politike se shteti është pronë e partive në pushtet. Kështu që edhe në këto zgjedhje vendore, partia maqedonase në pushtet, se bashku me degën e saj shqiptare, kishin pas vetes tërë potencialin shtetëror, që nga njësite policore ‘alfa’ e deri te ‘omegat’ politike. Dhe ky potencial – posaçërisht ai policor – siç është bërë tani më traditë, më së shumti u përdorë nëpër vendbanimet shqiptare. Kështu që, njësoj si partia e deridjeshme maqedonase në pushtet, edhe kjo e sotmja, ua dorëzoi vasalëve të vet shqiptarë tërë potencialin policorë, që të bëjnë trysni mbi shqiptarët. E që do të thotë se Maqedonia vazhdon të drejtohet sipas parimit se për shtetin është i mirë “vetëm shqiptari i vdekur”, ndërkaq i përdorshëm për pushtetin është vetëm shqiptari i kriminalizuar dhe i korruptuar.

Si mendoni se do të jenë rezultatet e këtyre zgjedhjeve?

Kim Mehmeti: Sido që të përfundojnë këto zgjedhje vendore, partitë opozitare shqiptare ia kanë për borxh popullit që fuqishëm ta ngrenë zërin kundër partisë maqedonase në pushtet, e cila e ndihmuar nga dega e saj shqiptare, dhe t’i thonë se është duke e përçarë dhe kriminalizuar shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Partitë opozitare shqiptare gjithashtu duhet t’i tregojnë drejtuesit të partisë maqedonase në pushtet se nëse shteti multietnik ndërtohet përmes nëntokës dhe krimit shumetnik, atëherë Maqedonia prej moti do ishte shembull i shtetit ku vëllazëritë krimogjene dhe ato partiake kanë tejkaluar paragjykimet etnike.

Përflitet edhe për fenomenin e blerjes së votave. Cili është mendimi i juaj?

Kim Mehmeti: Gjatë fushatës parazgjedhore kam qenë disa herë në Tetovë. Dhe çdoherë kam pas ‘nderin’ të më përcjell ndonjë makinë me xhama të errët, për të cilat dikush më thoshte se janë të njësitit policor ‘alfa’ e të tjerët se janë të ‘omegave’ muskulore të degës shqiptare të partisë maqedonase në pushtet. Sido qoftë flas për atë që e kamë parë me sy. E me sy kam parë karakterin dhunues të partive ne pushtet si dhe atë se janë harxhuar thasë me para për të blera vota. Për çka nuk ka si ta shmang pyetjen logjike: çfarë dobie do ketë ky popull nga ata që blejnë vota, kur blerësit e tillë, të parën që do bëjnë nëse marrin në duar komunën, do e kthejnë investimin që kanë bërë. Kështu që, kandidatëve të partisë shqiptare nuk do u mjaftojnë as katër vite hajdutëri për t’i kthyer parat e harxhuar për blerjen votave./Sakte.net