Përfundon rigjykimi i shqiptarit për vrasje në xhami të Zvicrës

Përfundon rigjykimi i shqiptarit për vrasje në xhami të Zvicrës

Sot, në Gjykatën e Lartë (kantonale) të St. Gallenit, është zhvilluar seanca e apelit për vrasjen që e kishte kryer një shqiptar sot 54 vjeçar i Luginës së Preshevës në një xhami të këtij qyteti. Viktima, siç është shkruar tashmë, ka qenë po ashtu një shqiptar.

Vrasësi ishte dënuar me 18 vjet burg për vrasje të rëndë nga instanca e parë. Por ai kishte kërkuar ulje të dënimit në 10 vjet burg me pretendimin se nuk qëndronte kualifikimi i veprës së kryer si vrasje e rëndë, shkruan sda.ch.

Sipas tij, nuk është e vërtetë se vrasjen e kishte kryer me planifikim ose për hakmarrje. Ai, thotë se, thjesht, ishte ndier i kërcënuar, nën depresion dhe kishhte qenë i traumatizuar, transmeton albinfo.ch. Edhe armën e kishte siguruar për vetëmbrojtje. Të gjitha këto kishin bërë që ta bënte krimin. Ndërsa ka shtuar se nuk ka pasur për qëllim të lëndonte të pranishmit tjerë në xhami.

Ndërsa për prokurorin e lëndës, vrasja ka qenë e planifikuar, e kryer me gjakftohtësi. Sipas tij kjo vrasje ishte ekzekutim tipik, pasi që ishte kryer nga afërsia e drejtpërdrejtë, me 7 plumba dhe në rrethanat kur viktima nuk kishte mundësi të mbrohej. Kështu, prokuroria kërkon për të rritje të dënimit, nga 18 në 20 vjet heqje lirie.

Vrasja ka ndodhur në gusht të vitit 2014 në shenjë hakmarrjeje ndaj viktimës, i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllain e të parit dhe e kishte plagosur edhe atë. Pasi që gjykata kishte konstatuar se vrasja e para 20 viteve kishte ndodhur në vetëmbrojtje, dorasi kishte mbajtur vetëm pak burg, transmeton albinfo.ch. Kjo sipas palës së dëmtuar të asokohshme ishte e padrejtë dhe për këtë arsye i akuzuari i tashëm kishte vendosur që të ndante “drejtësinë” vetë.

Vendimi gjyqësor për rastin do të merret në ditët në vijim dhe ai do të kumtohet vetëm me shkrim.