“Milaim Zeka shtirej si pjesëtar i UÇK-së dhe shitej si gazetar lufte”

“Milaim Zeka shtirej si pjesëtar i UÇK-së dhe shitej si gazetar lufte”

Gazetari norvegjez, Paul Refsdal kishte qenë reporter gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në një rrëfim për portalin “Periskopi” ai flet përvojën e tij në Kosovë, kontaktet që kishte me komandantët e UÇK-së, si – Luli, Gjarpri, Sulltani, Dhjetëshi, Kapuçi, Sulltani e të tjerë.

Gjatë këtij rrëfimi, ai përmend edhe Milaim Zekën, për të cilin thotë se ka luajtur role të dyfishta gjatë luftës në Kosovë.

“Shtirej si ushtar dhe filmonte UÇK-në, më pas ato pamje ua shiste agjencive ndërkombëtare”, thotë ai.

Refsdal ka treguar se Zekën e kishte takuar disa herë në Koshare, ndërsa një herë tjetër në Kukës.

Atë e përshkruan si një njeri mjaft të interesuar për para. Ai rrëfen se si Milaim Zeka, i cili tani është deputet në Kuvend e Kosovës, pretendonte se ishte pjesëtar i UÇK-së dhe xhironte pamje të ushtarëve e të bazave të UÇK-së.

Sipas Refsdalit, ato pamje që Zeka i filmonte i shiste tek agjencitë ndërkombëtare, para të cilave shitej si gazetar lufte.

“Milaim Zekën e takova disa herë në Koshare dhe njëherë në Kukës. Ai dukej shumë i interesuar për para. Është në rregull nëse një gazetar tenton të fitoi para përmes punës së tij, por ai pretendonte se i takonte UÇK-së dhe shëtitej nëpër bazat e tyre dhe në të njëjtën kohë kërkonte para për materialet që i kishte filmuar. Ai i luante dy role, gjë që nuk është në rregull. Kur u takova në Kukës me të, i thashë se do të doja të depërtoj në Kosovë (Kosharja nuk ishte shumë larg), por ai ma bëri të qartë se duhej ta paguaj atë për këtë shërbim”, tregon Refsdal.

Ai ishte arrestuar në Koshare nga komandanti i Brigadës. Dyshimet e tij ishin që në arrest kishte gisht Milaim Zeka, gjë të cilën thotë se e konfirmoi më pas nga vetë pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas tij, Milaim Zeka dëshironte të krijonte monopol të xhirimeve të UÇK-së. Pra, të ishte i vetmi që i kishte dhe më pas t’ua shiste ato medieve të huaja.

“Për shkak të tij, unë u arrestova në Koshare. Ky ishte dyshimi im, i cili më vonë u konfirmua edhe nga pjesëtarë të UÇK-së. Zeka dëshironte të krijonte monopol të filmimit në Koshare dhe të mos lejonte askënd tjetër të xhironte”, rrëfen tutje reporteri norvegjez.

Të gjitha këto përvoja të tij, përfshirë edhe ato me Milaim Zekën Refsdal i ka publikuar në librin e tij “GERILJA RAPORTEREN”, i cili është i shkruar në gjuhën norvegjeze.

Gjatë bisedës me Periskopi ai ka dërguar disa pjesë të shkëputura nga libri i tij, ku përmend Zekën.

“Një shqiptar me vendbanim në Suedi në këto dy javët e fundit erdhi në këtë terren. Ai quhet Milaim dhe se po punuaka për një televizion suedez. Në kokë mbante një beretë me emblemë të UCK-së kurse në dorë një video-kamerë. Nga njëherë ishte gazetar e herëve tjera ushtar i UCK-së. Unë nuk e kisha luksin të irritohem nga kjo sjellje e tij pasi që puna ime ishte të filmoj”, shkruan ai.