ZRRE-ja e përfshirë në skandalin e faturave udhëhiqet nga ish-zyrtari i KEDS-it

ZRRE-ja e përfshirë në skandalin e faturave udhëhiqet nga ish-zyrtari i KEDS-it

Gjykata e Apelit gjatë ditës së djeshme ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili drejtohet nga ish-zyrtari i KEDS-it, Petrit Pepaj.

Petrit Pepaj ka qenë zyrtar në Kompaninë Kosovare për Distrubuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ndërsa në Zyrën Rregullative të Energjisë (ZRRE), është drejtor menaxhues.

ZRRE kishte marrë vendim i cili i detyronte qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit.

Mirëpo këtë vendim Gjykata e Apelit e kishte pezulluar pas ankesës së bërë nga Avokati i Popullit, ku ky i fundit kishte thënë se me këtë vendim i jepet fund diskriminim dhe dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve nga ZRRE-ja.

“Shkalla e parë ka vendos pro kërkesës sonë, edhe ndërkohë është dhënë mundësi palës tjetër që të bën ankesë në gjykatën e apelit. Para disa ditësh përfundimisht edhe gjykata e Apelit e ka miratuar kërkesën tonë prapë edhe me fjalë tjera është pezulluar ekzekutimi i këtij vendimi”, deklaroi për televizionin publik Ilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, qytetarët kanë paguar rreth 8 milionë euro në vit për rrymën e shpenzuar në veri, që i bie se nga viti 2012 kur është marrë vendimi nga ZRRE, qytetarët kanë paguar rreth 40 milionë euro për rrymën të cilën fare nuk e kanë shpenzuar.