Qeveria s’ka zgjidhje të re për Demarkacionin

Qeveria s’ka zgjidhje të re për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paralajmëruar se Marrëveshja për Demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po që se nuk arrin të rinegociohet me Malin e Zi.

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se Arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje.

Demarkacioni me Malin e Zi po vazhdon të ngelet pa zgjidhje. Ani pse kjo marrëveshje u nënshkrua para rreth dy vjetësh ende nuk ka arritur të marrë një epilog.

Përderisa anëtarët e Komisionit thonë se tashmë janë në fazën përfundimtare të analizimit të të gjeturave, zyrtarë të Qeverisë thonë se hapat e mëtejmë për Demarkacionin varen pikërisht prej këtyre të gjeturave.

Porse, meqë versioni i tanishëm nuk i ka dy të tretat në Kuvend, sipas tyre, kjo marrëveshje mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit, shkruan Zëri.

Kurse, partitë opozitare konsiderojnë se ia vlen të humbet kohë për të gjetur të vërtetën për demarkacionin, edhe nëse mund të ketë vonim të liberalizimit.