Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik Genc Bashota, prezantuan para kompanive të ndërtimit pjesën programore që ndërlidhet me planifikim dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Aty u fol për Hartat Zonale dhe mënyrën e vlerësimit të pronës së secilit.
“Në vitin 2013 Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kaluar Ligjin e ri të Planifikimit dhe Ligjin e ri të Ndërtimit me që rast ka përcaktuar format e reja të planifikimit për Komuna. Planet Zhvillimore Urbane janë zëvendësuar me Hartat Zonale të cilat paraqesin një plan rregullativ të përgjithshëm të qytetit. Gjatë viteve 2014 – 2017 Prishtina ka përfunduar të gjitha përgatitjet për hartimin e hartës zonale. Janë regjistruar në GIS të gjitha objektet në qytet, janë bërë të gjitha matjet gjeodezike e po ashtu janë regjistruar edhe të gjitha instalimet infrastrukturore të qytetit. Tek në vitin 2017, Ministria ka hartuar Udhëzimin Administrativ në bazë të të cilit duhet të punohen këto harta”, thotë VV përmes një komunikate për media.
Më poshtë ju sjellim të plotë komunikatën e VV-së:
Zotimet tona lidhur me këtë çështje për mandatin e radhës parashohin këto veprime konkrete:
Proces gjithëpërfshirës për Përfundimin e Hartës Zonale në vitin 2018 – Harta Zonale do të përfundohet gjatë vitit 2018 me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe ekspertëve. Harta zonale do të iniciohet në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal pas zgjedhjeve të 22 tetorit.
Prona e qytetarëve me trajtim të barabartë dhe pa diskriminim në hartën zonale – Në hartë zonale nuk do të ketë diskriminime të qytetarëve siç ka ndodhë në dokumentet e mëhershme të planifikimit. Në raste kur në tokën private të dikujt do të caktohet rrugë apo ndonjë ndërtesë e karakterit publik, qytetari nuk do të mund të ndërtojë mirëpo do t’i ketë të drejtat e njëjta të koeficientit të ndërtimit sikurse edhe çdo pronarë tjetër brenda një blloku. Kështu do të mbrohet secili qytetar nga diskriminimi potencial por edhe do të mbrohet interesi publik.
Hartë Zonale që rritë vlerën e pronave publike komunale – Një prej qëllimeve kryesore të
Hartës Zonale do të jetë edhe ruajtja e vlerës së pronës/tokave komunale të cilat do ta shtojnë pasurinë e përbashkët që e kemi si komunë.
Planifikimi do ta shtojë rritjen ekonomike – Planifikimi në zona të veçanta dhe ku ka toka komunale me vlerë do të ketë për qëllim rritjen ekonomike të qytetit, posaçërisht në dhënien në
shfrytëzim të tokave për prodhim dhe për vende të punës. Po ashtu Harta Zonale do ta ketë parasysh ruajtjen e tokës bujqësore në komunën e Prishtinës.
Shpronësimi pa mjete financiare – Në një komunë me buxhet modest siç është Komuna e Prishtinës, mundësitë e shpronësimit për realizimin e planeve rregullative janë të vogla. I kemi disa shembuj në Komunën e Prishtinës ku për ndërtimin e një rruge nevojiten për shpronësim dhjetëfishi i kostos së rrugës që pamundëson ndërtimin e rrugës. Harta Zonale dhe dokumentet tjera të planifikimit duhet ta kenë për qëllim përfitimin e pronës për Komunën e Prishtinës përmes koeficientit.