PDK pretendon se ka fituar shumicën e komunave

PDK pretendon se ka fituar shumicën e komunave

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, sipas të dhënave të para të shtabeve të PDK-së anekënd vendit, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës prin në shumicën e komunave ku po garon.

“Nga rezultatet përfundimtare, presim që PDK-ja të dalë partia me numrin më të madh të komunave të fituara në zgjedhjet e sotme. Presim të shpërblehet vendimi i subjektit tonë për të garuar më kandidatët më të mirë dhe unifikues, që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar, në të gjitha komunat”, ka thënë ai.

Sipas tij, përveç rastit të aplikimit të të ashtuquajturit “treni bullgar” në Mitrovicë nga ana e njerëzve të dyshimtë të kryetarit në largim Agim Bahtiri, veprim të cilin e kishin bërë edhe në raundin e parë, procesi zgjedhor ka vijuar kryesisht në mënyrë të rregullt dhe të qetë.

“Për sa i përket rastit të trenit bullgar, tashmë janë raportuar 3 militantë të AKR-së të arrestuar. Por, përkundër kësaj, PDK-ja ka fituar edhe në Mitrovicë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka ftuar komisionerët e PDK-së që të vazhdojnë të qëndrojnë syçelë në ruajtjen e çdo vote për PDK-në.