Dhjetë ankesa në PZAP për balotazhin, tri i ka dërguar LDK për Prishtinën

Dhjetë ankesa në PZAP për balotazhin, tri i ka dërguar LDK për Prishtinën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar gjatë ditës së diele numërimin e të gjitha votave nga qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Numërimi i votave me kusht, sipas zyrtarëve të KQZ’së, pritet të fillojnë të enjten, ose të premten

Partitë politike tashmë kanë nisur ankesat e tyre rreth procesit të balotazhit. Lidhja Demokratike e Kosovës deri ditën e djeshme i ka dërguar katër ankesa në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

Kështu ka deklaruar të martën për Gazetën Express, Mulë Desku, kryetar i sekretariatit të PZAP-it. Ai ka shpjeguar se nga të gjitha subjektet politike në vend deri dje në PZAP janë bërë 10 ankesa.

LDK i ka dorëzuar tri ankesa për Komunën e Prishtinës. Sipas Deskut ato kanë të bëjnë me procesin e votimit si dhe parregullsive gjatë procesit të numërimit të votave.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar katër ankesa. Ato i ka paraqitur për Komunën e Prishtinës si dhe një tjetër për komunën e Dragashit. Ankesat kanë qenë rreth procesit të votimit në kuptimin e parregullsive me pretendimin se janë anuluar një numër i madh i fletëvotimeve dhe kërkon arsyetim pse janë anuluar. Ne do t’i marrim parasysh të gjitha ankesat”, ka thënë Desku.

Ndërkohë Express posedon dokumentin me ankesat që LDK’ja i ka bërë rreth procesit të numërimit të votave ne Prishtinë. Ankesat kanë të bëjnë me manipulim të votave, pavlefshmëri të fletvotimeve si dhe mospërputhje të votave të FRK’së ose FPR’së dhe atyre të publikuara nga KQZ-ja.

Tutje sipas zyrtarëve të PZAP’së, edhe Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në këtë institucion. VV po ankohet për komunën e Prizrenit, duke u arsyetuar se votat e kësaj partie në një vendvotim i janë bartur kundërkandidatit.

“Vetëvendosja ka ba ankesë për Prizren për ndërrim të një numëri të votave, në vend të kandidatit të tyre i janë qite kandidatit të PDK’së me një vendvotim. Alternativa në Gjakovë”, ka thënë Desku për Gazetën Express.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 12 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.