VV bën ankesë në Gjykatën Supreme, ka një kërkesë për KQZ-në

VV bën ankesë në Gjykatën Supreme, ka një kërkesë për KQZ-në

Gjatë ditës së sotme, Nënkryetari Dardan Sejdiu, dhe deputeti Ismajl Kurteshi, dorëzuan ankesën ndaj vendimit arbitrar të PZAP-së për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren, në Gjykatë Supreme.

Nënkryetari Sejdiu para mediave tregoi pse vendimi i PZAP-së për rinumërim është absurd dhe i jashtligjshëm, pasi që gjatë ditës së zgjedhjeve, në të dy komunat nuk është evidentuar asnjë parregullësi gjatë procesit zgjedhor, as nga organizatat vendore e as ato ndërkombëtare, të cilat kanë monitoruar zgjedhjet me 19 nëntor.

Po ashtu, Nënkryetari Sejdiu e quajti të pakuptimtë dhe të papranueshëm vendimin e KQZ-së që të mos numërohen votat me kusht, duke thënë që është e palogjikshme që të ketë rinumërim pa përfunduar numërimi i të gjitha votave.

Ai ftoi KQZ-në që të vijojë me numërimin e votave me kusht, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, deputeti Ismajl Kurteshi shprehu bindjen që vendimi i PZAP-së do të anulohet nga Gjykata Supreme, duke e quajtur këtë si mënyrën më të mirë për të mos e dëmtuar procesin zgjedhor, për të cilin tha se ishte më i rregullti në historikun e zgjedhjeve në vendin tonë.