Ia vranë gruan dhe shtatë fëmijët, pas 20 vitesh veteranit të UÇK-së i lindin binjakë (Video/reportazh)

Ia vranë gruan dhe shtatë fëmijët, pas 20 vitesh veteranit të UÇK-së i lindin binjakë (Video/reportazh)

Në çdo nëntor, në ditën e flamurit kombëtar, Isak Asllani nga fshati Rrancë  i Komunës së Shtimes, veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së, merr rrugën që çon tek varrezat. Por aty nuk janë varrezat e fshatit ashtu siç rëndom i hasim gjithandej e ku njerëz të ndryshëm shkojnë e ndajnë dhimbjen për humbjen e më të dashurve të tyre.

Këto janë varret e nënës, gruas dhe shtatë fëmijëve të Isakut të cilët bashkë  me mbesën dhe gruan e vëllait u vranë para 20 vitesh nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këtu s’ke se si ta ndash dhimbjen, ajo vjen si një uragan dhe përplaset furishëm në shpirtin dhe zemrën e Isakut duke e dërmuar atë që prej 2 dekadash. Teksa me radhë i zbulon nga bora emrat e fëmijëve në varr, Isaku mundohet që përmes prekjes së shkronjave ta ledhatoj fytyrën e djalit Burimit që atë botë ishte vetëm 13 vjeç, pastaj Lumnijes, Ejupit, Luljetës, Shpendit, Xhaferit dhe Antigonës së vogël që sapo kishte mbushë 1 vjet  kur u vra nga forcat serbe.

Sot kur kanë kaluar pothuajse 20 vjet nga kjo tragjedi njerëzore, Isaku mbledh veten dhe gjënë forcë për të folur për Indeksonline. Ai tregon për çastet e tmerrit që kishte përjetuar.

“Patem 3 ditë luftime rresht edhe unë jam shku me tërhjekë familjen, unë jam kanë me vllaun me Musen në atë moment kanë ardhur forcat serbe me tank na kanë shënjestru shumë mirë dhe na ka gjujtë me tank. Unë jam plagosë rëndë bashk me vllaun Musen ndersa ne prekolice aty veç shkun krejt asnjë nuk shpëtoj hiq”, thotë Isaku për Indeksonline.

Isaku ishte tërhequr me ndihmën e ushtarëve të UÇK-së dhe ishte shtrirë në spital për shërim. Ai nuk mund të përshkruaj gjendjen në të cilën e kishte lënë gjithë familjen të copëtuar dhe masakruar nga granatat e forcave serbe.

“Edhe Ekremi, vllau tjetër është plagos duke ardhë me na nimu. Do me thanë që na e patëm fatin qashtu me pësu, e falenderoj Zotin edhe shoqnien gjithë mbarë që mu kanë gjetë pranë dhe kam mundur me shpëtu mirë edhe me mend edhe sot po mundem me bisedu me ju edhe me gjithë  të  tjerë . Mungesa për ta është e madhe për mua kanë  kaluar 20 vjet po për mua është sikur ditë e sotme, por edhe krenaria për ta është gjithashtu e madhe sepse kanë dhanë jetën për këtë tokë”, deklaron veterani i luftës.

Isaku tregon se i ishte bashkuar radhëve të UÇK-së që nga fillimi i luftës  pikërisht për të mbrojtur gruan dhe fëmijët nga pushtuesi serb, mirëpo edhe pse armiku ja kishte vrarë gjithë familjen ai përsëri gjeti forcë dhe arsye për të luftuar.

“Vullneti i madh për lirinë e popullit tonë se na kemi hjek me serb, unë   gjithë fëmijët e Kosovës i kam konsideruar si fëmijët e mi për asnjë  moment kurrë nuk më ka shkuar ndërmend me lanë pushkën deri në  përfundim të luftës kam qenë me shokë pa e kursyer kurrë  veten në   vijën e parë të frontit”, rrëfen Isaku.

Pas vrasjes së gjithë familjes nga forcat serbe e vetmja gjë që i kishte mbetur Isakut ishte urrejtja ndaj pushtuesit. Ai shpalos edhe  anën njerëzore të një luftëtari të etur për liri por jo edhe për hakmarrje të përmasave të tilla.

“Edhe përkundër asaj se çfarë më kanë ba serbët, unë nuk kam qenë  në gjendje me ba një masakër të tillë, me vra naj fëmijë te ndonjë  serbi ose naj grua të pafajshme, naj plak s’kisha mujtë kurr me ba atë çka m’kan ba serbët, as sot s’e baj”, deklaron për Indeksonline, veterani i luftës së UÇK-së, Isak Asllani nga fshati Rrancë i Komunës së Shtimes.

Në këtë 28 nëntor, po bëhen 20 vite nga dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po në këtë datë është ditëlindja e komandantit të po kësaj ushtrie Adem Jasharit, në të cilën ushtri ishte rreshtuar Isaku që nga fillimi ku i kishte shërbyer me shumë zell dhe sakrificë.

Derisa shkund flamurin nga dëbora që po binte në këtë nëntor të ftohtë ai për një çast ndalet dhe na tregon: “A e din që menjëherë pas kësaj tragjedie jam martu me 28 nëntor të vitit 1998 bash në ditën e flamurit”.

Ai nxjerr telefonin nga xhepi dhe tregon pamjet e dasmës së 19 viteve më parë. Shokët e luftës i ishin bërë krushq  duke marshuar dhe duke kënduar me dhëndrin dhe nusen që po ju printe.

Dhe rëndësia e muajit nëntor për Isakun nuk përfundon me kaq. Pas gjithë   kësaj sakrifice dhe vuajtjesh njerëzore tashmë në moshën 60-vjeçare pas 20 vitesh përpjekjesh për të pasur një trashëgimtar më në fund i buzëqesh fati dhe shpërblehet me një mrekulli, e ku në fakt janë dy.

“Në këtë nëntor mi ka sjellë në jetë perëndia dy fëmijë binjak, vajzën Lumnijen edhe djalin Ejupin edhe i kam përtri emrat  e tyne ma shkurt më gëzoj Zoti edhe një herë në këtë jetë. Ky është një lëhtësim i madh për mu ishalla Zoti nuk e len askënd pa fëmijë, unë kam përjetu shumë, por më në fund erdhi kjo dhuratë prej Zotit”, tregon me lot në sy Isaku derisa duart i kishte vendosur tek dy fëmijët binjak Ejupi dhe Lumnia, ai me buzë në gazë thotë se përveç që i ishte hakmarrë me pushkë armikut, kjo është hakmarrja më e madhe.

Nën kulmin e shtëpisë në të cilën për 20 vite me radhë kishte gjet  strehë  vuajtja dhe trishtimi për humbjen e familjes, përsëri dëgjohet zëri i fëmijëve, ku bashkë me borën e nëntorit po e zbardhon edhe jetën e Isakut.