Zharku i quan paushalle deklaratat e ministrit Lekaj për fonde shtesë për autostradën

Zharku i quan paushalle deklaratat e ministrit Lekaj për fonde shtesë për autostradën

Ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku i ka quajtur paushalle deklaratat e ministrit aktual Pal Lekaj lidhur me fondet shtesë për ndërtimin e autostradës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke folur për autostradën “Arbën Xhaferi”, ditë më parëka deklaruar se ky projekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 63 milionë euro më shumë sesa që ishte nënshkruar në kontratën fillestare.

“Kjo për shkak të vonesave që janë bërë në pagesat bankare, amortizim dhe ndaj kompanisë ‘Bechtel Enka’ sepse këto probleme nuk i kanë zgjidhur në tavolinë”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka thënë se kjo është për të ardhur keq, derisa ka akuzuar qeveritë e kaluara për neglizhencë në këtë rast.

“Tani kjo rrugë do t’i kushtojë buxhetit gati 800 milionë euro dhe nuk është faji i im”, ka thënë ai.

Por, ish-ministri Lutfi Zharku i mohon akuzat dhe deklaratat e ministrit Lekaj i ka quajtur paushalle dhe të pamatura.

“Nuk monetoj deklarata paushalle dhe të pamatura”, ka thënë Zharku për gazetën Insajderi.

Realizimi i këtij projekti filloi në vitin 2014, ndërsa sipas planit, punimet duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018.

E tërë autostrada është në gjatësi prej 62 kilometra. Autostrada „Arbën Xhaferi“ është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në kufirin Kosovë-Shqipëri, e cila nga ana tjetër lidhet me autostradën Durrës-Kukës në kalimin kufitar Morinë, në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje nëse do të kërkohet llogari për gabimet e bëra në rastin e këtij tenderi./Insajderi