Ministri Gashi ngushëllon familjen Peci

Ministri Gashi ngushëllon familjen Peci

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi ka ngushëlluar familjen Peci me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci.

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

E nderuara familja Peci,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar.

Blerimi u nda nga kjo jetë në moshë të re, por vepra që la është voluminoze. Krijimtaria dhe produktiviteti i tij i panumërt do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin ka punuar dhe kontributin që ai ka dhënë në vazhdimësi e ka sjellë artin në Kosovë në një nivel tjetër.

Me kontributin e tij, Beli, siç e quajtën miqtë e tij, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e artit e të kulturës dhe jashtë saj. Me punën e tij ka bërë që të jetë i vlerësuar dhe motor që ka futur në lëvizje ata që kanë qenë përreth tij. Me entuziazmin e tij ai do të krijonte edhe shumë e më shumë, posaçërisht në fushën e humorit dhe për këtë Blerimi do të na mungojë edhe më shumë.

Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Blerim Pecit.

Sinqerisht,

Kujtim Gashi

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit