Investimet e huaja, 140 milionë euro më pak

Investimet e huaja, 140 milionë euro më pak

Prej fillimit të vitit deri në muajin shtator të këtij viti, janë shënuar investime të huaja në vlerë prej vetëm 45 milionë euro. Kjo paraqet një rënie të madhe prej 140 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në Maqedoni janë investuar afër 185 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Kjo, me fjalë të tjera, tregon se janë shënuar afër 74 për qind më pak investime në të periudhën janar-shtator të 2017, në raport me periudhën janar-shtator 2016.

Vlerësohet se kriza politike ngadalëson si planet investuese të kompanive të huaja ashtu edhe atyre vendore për të zgjeruar kapacitetet, të marrin kredi të reja ose të zgjerojnë kapacitetet e tyre në prodhim, por edhe në shërbim. Sipas ekonomistëve, kriza e stërzgjatur politike në dy vitet e kaluara, ka marrë haraçin e saj dhe është pasqyruar negativisht në vendimet e investitorëve të huaj, që të investojnë në një shtet me klimë jostabile politike.

Afaristët thonë se kushti kryesor i investimeve më të mëdha të huaja vendore mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, si dhe stabiliteti afatgjatë politik dhe ekonomik, së bashku me hapjen e bisedimeve të shtetit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Analistët ekonomik thonë se nuk duhet harruar se Maqedonia si shtet ka dobësinë që është shtet kontinental që nuk ka dalje në det, ka një treg të vogël , ndërsa turbulencat politike paraqesin problem shtesë. Sipas kryetarit të Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, kriza politike patjetër se ndikon në planet investuese të investitorëve të huaj, por sipas tij nuk duhet harruar se të gjitha shtetet në rajon bëjnë një garë të fuqishme për të tërhequr sa më shumë kapital të huaj që do të hapë vende të reja pune. “Shtetet e rajonit në përgjithësi shquhen me jostabilitet politik, por megjithatë ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që nuk duhet të anashkalohen . Edhe fqinjët tanë janë në garë të madhe se kush do të ofrojë kushte më të mira për investime për investitorët e huaj.

Nga ana tjetër, kemi edhe më shumë tregues që nuk varen nga ndihmat për investitorët e huaj, siç janë kuadri i arsimuar dhe i trajnuar, madhësia e tregut, infrastruktura dhe më shumë tregues të tjerë që shpesh nuk merren parasysh gjatë shqyrtimit të kësaj çështje“, thekson Dimitrov.

Në ndërkohë pritet që në periudhën e ardhshme të rriten dukshëm vëllimi i investimeve të huaja në Maqedoni. sidomos pas paralajmërimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit, fillimit të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian Me interesimin në rritje të SHBA-ve dhe Brukselit për të stabilizuar më tej rajonin, pritet të hapet edhe rruga për zhvillim më të madh ekonomik. Bile SHBA-të parashikojnë ndër të tjerash edhe vendosjen e një pranie të përhershme ushtarake në Evropën juglindore. Sipas Zërit të Amerikës, është paralajmëruar edhe rivendosja e reputacionit të Shteteve të Bashkuara si ndërmjetës i ndershëm që duhet të nxisin përpjekjet për të përgatitur Athinën dhe Shkupin që të bëhen aleatë dhe t’i bashkohen BE-së, si dhe për të çuar bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës drejt përmbylljes. Nga ana tjetër, para tre javësh nga ekzekutivi i ri paralajmëruan se me përfundimin e krizës politike do të rritet numri i investitorëve të huaj. Kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët me komisarin Johannes Hahn, paralajmëroi se me 19 investitorë të huaj po nënshkruhen apo janë para nënshkrimit të marrëveshjeve për investime të reja.

Ndryshe, investimet e huaja në Maqedoni në vitin e kaluar arritën në 358.4 milionë euro që është për tre herë më pak se niveli i tyre në Shqipëri, ku në vitin e kaluar u investuan gati një miliardë euro. Nga Maqedonia, rezultate më të dobëta, me 268 milionë euro në vitin e kaluar, shënon vetëm Bosnje e Hercegovina dhe Kosova që në vitin 2016 ka realizuar investime të huaja në vlerë prej 215 milionë euro. Në Serbi në vitin e kaluar janë investuar afër dy miliardë euro, në Slloveni afër 1 miliardë euro dhe në Kroaci janë investuar 385 milionë euro.