
Shkëlqim Pllanës iu dha lamtumira e fundit dje në varrezat e fshatit Bakshi të Obiliqit. Ky i ri në muajin maj ai do t’i mbushte 18 vjet. Vijonte mësimet në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeqovi”, ndërsa në çantë i mbante ndërresat e futbollit, pasi luante për klubin futbollistik “Keku”.
Djali i vetëm në familje është edhe fëmijë i ish-ushtarit të UÇK-së, Isa Pllanës. I cili tashmë i ka vetëm dy vajza.
Familja Pllana ka hapur të pamën që do të zgjasë tri ditë. Xhaxhai i Shkëlqimit, Musa Pllana rrëfen se si djali u vra në oborrin e shtëpisë së dajëve.
“Nuk ka qenë as në rrugë, as brenda në kafe po e ka thirr ai shoku i kanë thanë dil se po të veti diçka, kur u dalë djali prej korridorit te dera në oborr e kanë therë me thikë”, rrëfen Pllana.
“Djali ka shkuar të dajt e vet tash ajo shoqëria e tij ku kanë qenë nuk e dina nuk kem informata, me këto punë merret hetuesia policia i kanë të dhënat. E kanë telefonin e djalit që i ka thirr bash ai dorasi. Supozohet se ai ka qenë edhe me katër të tjerë”, vazhdon tutje rrëfimin.
Pllana thotë se intervenimi i mjekëve ka qenë shumë i shpejt, kanë bërë çmos me shpëtuar por nuk kanë arritur. Ai tregon se plaga afër zemrës ka qenë e madhe ndërsa më poshtë Shkëlqimi ka pasur edhe dy gërvishtje tjera.
“Unë e kam pastrua djalin e vëllait si djalin temë, e kom pa trupin e tij i ka pas edhe dy gërvishje poshtë supozoj se u kanë gjatë përleshjeve të tyre kurse një plagë fatale ka qenë afër zemrës edhe u kanë gjakderdhja shumë e madhe që s’ka mujt me pranuar më gjak as asgjë”- tregon Pllana për Express.
Pllana e përshkruan nipin si djalë shumë të shoqërueshëm, djalë që e donte sportin dhe i afronte të rinjtë për të luajtur me top. Thotë se Shkëlqimi “as nuk ka pirë duhan, as alkool e as nuk ka shpenzuar para kot. Por, dyshon se “Shkëlqimi ka rënë në kurth të shoqërisë së keqe”.
“Qysh u ardh deri te ajo shoqëri, qysh e kanë shti ata djalin në rreth ata e din mas miri edhe supozohet se djali ka ra kurth e një shoqërie te keqe. E një grupi të keq”, thotë Pllana.
Pllana thotë se L.P ishte në shkollën e njëjtë me të Shkëlqimit dhe se dy djemtë kanë pasur shoqëri mes vete. Ndërsa, dy familjet nuk njihen mes vete dhe se dorasi vjen nga komuna e Podujevës.
Familja Pllana zbardhjen dhe motivet e vdekjes i kanë lënë në duar të Policisë dhe organeve të drejtësisë. Musa Pllana tha se nuk kanë pranuar që familja e dorasit të jetë e pranishme në ceremoninë e varrimit të Shkëlqimit.
Shkëlqimi u varros të hënën, ndërsa të pranishëm ishin qindra persona përfshirë edhe shumë nxënës nga shkolla të ndryshme. E pamja për të u hap sot dhe siç thotë Pllana vetëm brenda dy orëve për ngushëllime kanë qenë më shumë se 400 persona.