Ymeri reagon ndaj deklaratës së Kurtit ku deputetët e VV-së u quajtën anëtarë të SHIK-ut

Ymeri reagon ndaj deklaratës së Kurtit ku deputetët e VV-së u quajtën anëtarë të SHIK-ut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka folur lidhur me akuzat që zyrtarja për media e VVsë, Tinka Kurti i ka akuzuar deputetët Dardan Molliqaj e Dukagjin Gorani si njerëz të SHIK’ut.

Ymeri tha se është e papranueshme kjo gjuhë që është përdorur nga Kurti, sidomos për vetë faktin se ajo ka pozitë dhe përgjegjësi brenda Lëvizjes.

“Mendoj se edhe kjo hyn në kuadër të komunikimit që janë të papranuara. Është e papranueshme sepse ka përgjegjësi brenda Lëvizjes. Nuk u lejohet të shpërfaqin në publik mendime të tilla. Njerëzit nuk duhet t’i cilësojnë rrjetet sociale si private dhe të shkruajnë çfarë të duan, sepse publikimet janë publike”, tha Ymeri.

Tutje ai tha se do të flas me Kurtin dhe do ta sqaroj këtë situatë, pasi sipas tij është e tepërt që deputetët e VV-së të cilësohen si SHIK.

“Nuk ndaj mendim të njëjtë me të. Nuk kemi marrë masa për këtë, do ta diskutojmë. Nuk jam autoritar e ndëshkues. Do ta diskutoj me Tinkën dhe të tjerët të sqarojmë pse ka ndodhur kjo. Nuk arsyetohet një shpërthim i tillë. Ka mënyra në të cilat mund të ngritësh pakënaqësitë brenda LVV’së. Secili aktivist mund të bëjë ankesa. Natyrisht se kjo është e tepërt. Këta dy persona janë deputetë, nuk janë SHIK. Dardan Molliqaj është në Vetëvendosje që nga viti 2006. Ka një zhvillim të paprecedentë të gjuhës së ashpër e të gabuar, vetëm pse ka mospajtime”, tha tutje Ymeri