VV veçon citatin e Kurtit për rrëzim të Qeverisë, injoron atë për problemet

VV veçon citatin e Kurtit për rrëzim të Qeverisë, injoron atë për problemet

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një njoftim zyrtar për publikun, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt sot në Prishtinë. Në këtë mbledhje u vendos që të shpallen zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në njoftimin e saj, Lëvizja Vetëvendosje u theksua fjalimi i mbajtura nga deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe po ashtu letra që e dërgoi nga burgu ish-kreu i subjektit Albin Kurti.

Letra e Kurtit, që në Këshillin e Përgjithshëm e lexoi aktivisti Arben Vitia, përmbante mesazhe të qarta për përçarjen brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe për ndodhitë e javës së fundit, të cilat, Kurti i quajti “të dhimbshme”.

Megjithatë, në njoftimin zyrtar të VV-së janë cituar vetëm fjalët e Kurtit kundër kundërshtarëve politik të partisë, ku ai fliste për “rrëzimin e qeverisë”.

“Kemi rrethanë shumë të volitshme për ta rrëzuar qeverinë sepse opozita është me e madhe se pozita dhe VETËVENDOSJE! është partia më e madhe. Ky shansi yni është shpresa e popullit”, ishin fjalët e Kurtit të shkruara në letër, të cilat ka zgjedhur t’i transmetoi Lëvizja Vetëvendosje.

Këshilli i Përgjithshëm vendos për zgjedhjet e reja për kryetar të LëvizjesLëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbledhjen…

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Sunday, 17 December 2017

E Kurti në letrën e tij ka shkruar edhe për përçarjen brenda partisë, duke thënë se disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi.

“Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i VETËVENDOSJE!-s është i nevojshëm por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm. Demokraci kudo dhe tërë kohën. Demokraci pa hakmarrje”, thuhej në letrën e Kurtit.

Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së u votua edhe për koalicionet zgjedhore lokalë, në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e re, në Prizren me Nismën për Kosovën, në Klinë me AAK dhe në Vushtrri me Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Insajderi.com