“Udhëve” të fesë

“Udhëve” të fesë

Javën e kaluar në televizionin publik u transmetua dokumentari ri me emrin “Udhëve”, kurse emisioni i parë iu kushtua aplikimit të mësim-besimit në shkollat shqiptare në Luginë të Preshevës.

Në përgjithësi kur flitet për tema fetare, në përgjithësi mediat nuk mund t’iu ikin paragjykimeve të caktuara, apo klisheve të krijuara, megjithatë është mirë kur trajtohen tema të tilla sesa të lihen nën tepih.

Në radhë të parë duhet të kemi parasysh se Beogradi e ka menduar futjen e kësaj lënde për nxënësit e tyre në mbarë republikën dhe jo vetëm për pakicat shqiptare apo boshnjake, hungareze e të tjera në republikë. Prandaj, kur flitet për një temë të tillë, mendoj se duhet të ofrohet një pamje 360 shkallëshe, dhe jo e pjesshme. Ne nuk duhet të veprojmë vetëm për inat të Serbisë.

Edhe këtu te ne është diskutuar futja e lëndës së edukatës fetare në shkolla. Sigurisht Serbia nuk është model për diçka të tillë, por ka plotë shtete evropiane që mund të shërbejnë si shembull. Por, nëse në shkollat në Luginë të Preshevës ka dështuar apo jo, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të provojmë me futjen e kësaj lënde në shkollat tona.

Kjo lëndë mund të futet si lëndë zgjedhore, ndoshta jo në gjithë klasat, duke filluar nga ato fillestare, por ndoshta mund të futet në vitin e fundit të shkollës së mesme të ultë (klasa e nëntë), si dhe në vitin e fundit të shkollës së mesme të lartë. Kjo lëndë nuk do të shërbente për indoktrinimin e fëmijëve tanë në fe, por e kundërta, për çintoktrinimin e tyre nga ide radikale.

Ky është një debat i hapur. Futja e kësaj lënde, nuk do të thotë se po plotësohet dëshira e klerikëve se fëmijët po drejtohen në “udhë të Zotit”, pra nuk është se do të bëhen “më të mirë” apo “më të këqij”. Është detyrë e ekspertëve të arsimit që të hartojnë tekste të përshtatshme për nxënësit konform grupmoshës që do t’u dedikohen. Fundja, janë një numër fëmijësh që ndjekin kurse të fesë në kthina të xhamive apo kishave. Tani shtrohet pyetja nëse është më mirë që të mësojnë aty apo në shkollë?

Është e nevojshme që fillimisht nxënësit të mësojnë për bazat e fesë së tyre dhe pastaj të mësojnë të bëjnë dallimet me fetë e tjera. Mendoj se pa marrë parasysh nëse futet kjo lëndë apo jo në shkollat tona, kjo është një prej temave që preokupon fëmijët tanë. Ata dëgjojnë për tema fetare në familje, në shoqëri, në televizor, apo në objekte kulti e gjetiu. Shkolla do të ishte një vend adekuat për të mësuar bazat e fesë në mënyrë të mirëfilltë.

Fëmijët mund të mësojnë në shkollë jo për koncepte të vështira që janë objekt studimi i shkollave fetare, por mund të mësojnë për këshilla fetare që ndërlidhen edhe me mbrojtjen e mjedisit, respektimin e fqinje e të tjera. Po ashtu ka shumë tregime me sfond fetar që disa prej tyre janë edhe filma të animuar apo filma artistikë, si historia e Salajdinit, apo rrëfime biblike e kuranore si varka e Noes, apo historia e Musës (Mojsiut) etj.

Fëmijët mund të mësojnë për ndërveprimet e kulturave të ndryshme më shumë sesa për dallimet dhe përçarjet.

Duke pasur parasysh historinë tonë kombëtare, është mirë që fëmijët të mësojnë për fetë tradicionale si islami dhe krishterimi. P.sh. letërsia e vjetër shqiptare është e dominuar nga ajo që njihet si letërsi filobiblike dhe njohuritë shtesë për fenë katolike, do të ndihmonin në kuptimin më të mirë të kësaj pjese të letërsisë.

Po ashtu duhet të themi, se me fajin e politikës ne shpesh i kemi paragjykuar një pjesë të madhe të popullit tonë që i përkasin besimit ortodoks dhe sado që themi se kemi tolerancë fetare, vazhdojmë t’i shohim me mosbesim.

Nxënësit mund të mësojnë po ashtu për personalitet shqiptare, si për papët me prejardhje shqiptare, figura si Nënë Tereza e kështu me radhë.

Por, kush do të jepte mësim për këtë lëndë? Ministria e Arsimit do të përcaktohej për këtë, nëse do të ishin kuadro të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë e gjetiu, apo edhe profesorë të fushave të tjera. Por, duhet kuptuar se shkollat nuk janë ente punësimi dhe nuk mund të futen lëndë për punësimin e kuadrove të ndonjë katedre, apo për plotësimin e agjendave të ndonjë organizate joqeveritare. Edhe ashtu numri i lëndëve në shkollat tona është tejet i madh. Por, derisa shtete që kanë pasur sukses me reformat në arsim siç është Finlanda, po vazhdojnë të bëjnë ndryshime në kurrikulat e tyre, ne ende hamendemi dhe nuk kemi ide se si t’i bëjmë ndryshimet në shkollat tona.

Definitivisht është mirë që lënda fetare të futet në shkollë, jo për hatër të dikujt, por me qëllimin që fëmijët tanë të marrin mësim adekuat për fetë dhe kjo nuk e cenon laicitetin e shkollave tona.