Për nxjerrjen në pah të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gazeta Online Insajderi ka fituar Çmimin për Demokraci për vitin 2017, që është ndarë nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i financuar nga Agjencia Daneze për Zhvillim, dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi që u mbajt sot në Prishtinë, drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Patrick Etienne tha se ky cmim është një mbështetje për punën e Insajderit në avancimin e gazetarisë hulumtuese.
“Ky çmim është një mbështetje për punën e tyre në avancimin e gazetarisë hulumtuese dhe inkurajimin e mediave tjera që të ndjekin shembullin për një ndikim më të madh në shoqëri”, ka thënë Etienne.
Ndërkaq, drejtori i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri, e nisi fjalimin e tij me një mesazh që pasqyron punën e Insajderit, në dy vitet e para të aktivitetit të tij.
“Insajderi është i vogël në moshë, por i madh për të korruptuarit”, tha fillimisht Olluri.
Ai deklaroi se pavarësisht tentimeve të të tjerëve për të ndaluar punën e Insajderit, gazeta ka vazhduar të trajtojë raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Prej 1 shkurtit 2016 tentuan të na ndalin në çfarëdo forme, prej shkëputjeve të kontratave e deri tek sulmet fizike”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, pasi pranoi Çmimin për Demokraci 2017.
Drejtori i Insajderit Parim Olluri mban fjalim pas pranimit të Çmimit për Demokraci
Përveç çmimit për Insajderin, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ndau edhe një çmim tjetër për Demokraci. Fituesi tjetër i këtij çmimi ishte inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës, Murat Mehmeti.
Mehmeti nxori në shesh një mashtrim masiv tatimor që përfshinte kompani fiktive në Administratën Tatimore të Kosovës.
” Z. Mehmeti nxori në shesh një mashtrim masiv tatimor që përfshinte kompani fiktive në Administratën Tatimore të Kosovës. Ne e dimë se të qenurit kallëzues kërkon shumë guxim, veçanarisht kur jeni i pari që e bëni atë dhe kur jeni në qendër të vëmendjes”, deklaroi drejtori i agjencisë zvicerane Patrick Etienne.
Qëllimi kryesor i ndarjes së këtyre çmimeve ishte mbështetja në zhvillimin e një shoqërie demokratike në Kosovë përmes mbështetjes së nismave të shoqërisë civile, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. /Insajderi.com