"Aprovimi i gjithçkaje që vjen nga bota e jashtme pa e studiuar a është trualli jonë ai që mund ta rrisë atë farë na rrjedhin të gjitha këqijat e shoqërisë. Të gjitha anët negative që një rini nuk i duhen e që shpeshherë është në studime të ndryshme edhe droga edhe gjana të tjera", kishtë thënë Daci, raporton Insajderi.com
Ishte 7 maji i vitit 2014. Kryeimami i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, Shefqet Krasniqi që ishte shndërruar në një prej figurave më kontroverse në islamin modern të Kosovës përmes interpretimeve të tija fetare mbi kategori të ndryshme shoqërore në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjeve që garantojnë barazi për të gjithë, kishte vendosur që të promovonte librat “Qëndrime në Kohë” vëllimi i III dhe IV.
Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame kishte thirrur shumë mysafirë, shumica studentë. Studentet ishin ulur në një pjesë, studentët në një pjesë tjetër, sipas rregullave islame që e bëjnë të pabarabartë njeriun bazuar në dallime gjinore.
Një sociolog, një shkrimtar i njohur për erotikën letrare dhe një pronar i një radioje nacionaliste ishin pjesë e panelit që do të flisnin për “qëndrimet e Shefqet Krasniqit” teksa në pjesën e publikut, si i ftuar special ishte një akademik, kimist me profesion. Ai ishte Nexhat Daci, që kishte filluar të ndjente dështimin në politikë me partinë e tij Lidhja Demokratike e Dardanisë, shkarkimit nga detyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe një afere gjyqësore që e kishte shpallur fajtor për përfitime personale me paratë e buxhetit të shtetit.
Me 21 dhjetor 2017, Daci është zgjedhur kryetar i institucionit më të rëndësishëm të shkencës dhe artit në Kosovë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Por Daci që tash drejton institucionin që ka për detyrë që merret me shkencë, kishte glorifikuar hoxhën Shefqet Krasniqi, i njohur si gjykues i ashpër i mungesës së moralit njerëzor dhe shoqëror.
Kryeakademiku i Kosovës, e kishte lavdëruar hoxhën si shkencëtar të islamit duke e cilësuar si një doktor shkence që ka bërë shumë. Madje kishte uruar që Perëndia ta mbrojë.
“Zoti e Ruajt sepse të parët në një lami ju duhet përkrahja e perëndisë në shëndet, këto të tjerat i bëjnë vet”, kishte thënë Daci në fjalën e tij, ka transkriptuar Insajderi.
Pasi kishte lavdëruar hoxhën për punën që po bënte duke quar sipas tij “përpara shkencën islame”, Daci kishte dalë edhe kundër teorisë së evolucionit, që është edhe e vetmja formë në të cilën shkenca bazohet për krijimin e njeriut. Feja islame e kundërshton këtë duke aluduar në atë që krijimi i njeriut është bërë me fuqinë e Zotit.
“E njëjta gja, unë vi prej një mjedisi që e ka traditën e zhvilluar të myslimanizmit dhe të xhamisë, edhe të miqësisë së madhe me miqtë e mi hoxhallarë, por mos harroni, ju krijues të rinj, në qoftë se nuk mbështetemi në gjenetikën tonë, krijojmë darvinizëm atje ku nuk e ka vendin hiq”, kishte thënë Daci, transmeton Insajderi.
Më pas Daci del krejtësisht në anën e hoxhës Shefqet Krasniqi i njohur për kundërshtime të kulturës globale. Madje kryeakademiku kishte shkuar aq larg sa fajësonte ndikimin e kulturës jo shqiptare për përdorimin e drogës.
“Aprovimi i gjithçkaje që vjen nga bota e jashtme pa e studiuar a është trualli jonë ai që mund ta rrisë atë farë na rrjedhin të gjitha këqijat e shoqërisë. Të gjitha anët negative që një rini nuk i duhen e që shpeshherë është në studime të ndryshme edhe droga edhe gjana të tjera”, kishtë thënë Daci, raporton Insajderi.com
Pasi kishte lavdëruar vetën se ka qenë studenti i parë shqiptar në Fakultetin e Gjuhës Shqipe, kishte bërë një kërkesë kontroverse.
“Prandaj islamit dhe profesor Shefqetit i dëshiroj që më shpesh të na tubojë se ato tjerët dinë me i bo, dhe ta sulmojë shoqërinë e cila nuk e përkrahë këtë fakultet (Fakultetin e Shkencave Islame v.j)”, kishte thënë Daci, duke nxitur falendërim të madh nga hoxha Krasniqi për këto fjalë.
Tri vjet pas kësaj, hoxha radikal Shefqet Krasniqi – vetëm një javë para se Daci të zgjidhet kryeakademik- ka dalë para gjykatë pasi mbi të rëndon aktakuza për veprën e shtytjes në kryerjen e vepra terroriste.
Krasniqi dyshohet se nga viti 2013 deri në 2014 në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.
Hoxha radikal akuzohet edhe për veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016 si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”.
Fjalimi i plotë i Nexhat Dacit në promovimin e librave të Shefqet Krasniqit.
Mbi të gjitha kolegu ynë edhe për nga çështjet akademike edhe profesurës. Po i them vetëm Dr. Shefqeti sepse është e mjaftueshme, për me përfaqësua mendimin tim
Unë e di që jeni të lodhur, prej fjalëve të shumta dhe përmbajtjesore, besoj se kjo që po ua them është budalli e imja dhe e mbani mend.
Jemi krijuar, rritur dhe edukuar me shumë tema tabu. Unë e falënderoj profesorin që atë pjesën që është më pak e plasuar në shkencën shqipe, shkenca e Islamit, është meritë e veçantë e profesor Shefqetit dhe Zoti e Ruajt sepse të parët në një lami ju duhet përkrahja e perëndisë në shëndet, këto të tjerat i bëjnë vet.
Besoj se do të na jap raste më të shpeshta që të zbulohet edhe atje ku studiohet islami, e thash në hyrje, pse e keni fshehë këtë objekt kaq të bukur nga opinioni. Unë e kisha me prapavijë sepse ia bëra edhe kryemyftisë këtë pyetje, por ai na shajti duke na thënë se nuk po lejoni frymëmarrje.
Andej, miqtë e mi, në veçanti studentë, duhet të ecim me një çështje që jemi në udhëkryqe të shumta, jo vetëm shtetërore dhe kombëtare por edhe krijuese.
Ekziston një skajshmëri në traditën tonë myslimanizmit, se ka dridhje në çdo ndryshim, në çdo progres. Kjo nuk duhet studentët ti frikësoj, as krijuesit.
Është një tabu e trashëguar nga sistemi i mëparshëm i komunizmit në gjuhën tonë, të bukur shqipe që thotë se gjuha nuk bënë me u prek, gjuha në qoftë se nuk preket nuk studiohet. Gjuha është një organizëm i gjallë sepse me zhvillimin e shkencës dhe atë të gjuhësisë, por edhe atë të gjitha tjerave që e ndihmojnë ka e elemente të reja. Shkencëtarët e dinë shumë mirë që nuk mund të konservohet e kaluara pa i hapë rrugë zhvillimit të saj dhe jo të ndërprerjes.
Dhe sot të gjithë ata të tjerët që nuk i ndjekin zhvillimet në hap me kohën, zhvillimet botërore thonë mos e prekni gjuhën.
E njëjta gja, unë vi prej një mjedisi që e ka traditën e zhvilluar të myslimanizmit dhe të xhamisë, edhe të miqësisë së madhe me miqtë e mi hoxhallarë, por mos harroni, ju krijues të rinj, në qoftë se nuk mbështetemi në gjenetikën tonë, krijojmë darvinizëm atje ku nuk e ka vendin hiq.
Hajde ta përkthejmë në gjuhën, studentët me më kuptu më lehtë.
Ne nuk mund ta imputojmë një pjesë të shkencës të islamit dhe ta lëmë krejt anash gjenetikën tonë. E tha mirë myftiu, nuk është islami i sotit. Dhe të gjithë ata, që mundohen kulturën shqiptare, mesin e saj është edhe islami me imputu diçka tjetër, që është moderne sot dhe e shifni në shumë pjesë të rinisë por mjerisht edhe të moshës që nuk është shkencë, merret si zgjidhje ose si diçka ideale,edhe për shqiptarin edhe për të tjerët atëherë ne nuk kemi arritur kurgjo gjatë këtyre qindra viteve ose gjatë këtyre viteve në krijimtarinë tonë shkencore.
Aprovimi i gjithçkaje që vjen nga bota e jashtme pa e studiuar a është trualli jonë ai që mund ta rrisë atë farë na rrjedhin të gjitha këqijat e shoqërisë. Të gjitha anët negative që një rini nuk i duhen e që shpeshherë është në studime të ndryshme edhe droga edhe gjana të tjera.
Prandaj të mos bunkerizohemi në asnjë shkencë, unë fillova me gjuhësinë, as në islamizëm.
Ata që krijojnë dhe që për herë të parë po e hapin këtë goditë të bukur para opinionit mos t’i frikësohet ngjyrosjes që ne kemi qejf shpeshherë ti quajmë me fjalë që nuk i takojnë fare.
Dhe kur nuk keni argumente, kur nuk dini i thoni edhe terrorist, edhe shkencëtarë i madh në thonjëza atyre që kopjojnë dhe rezultati përfundimtar është ngecja në robërinë kujtdo çoftë përgjithmonë.
Shkenca është vetmja rrugë, edhe ajo islame, që hap horizonte, krijon horizonte të reja, krijon jetë mbi bazën e shkencave që i përfaqësojnë. Prandaj unë e zgjata por sot po e ndjej vetën të nderuar që jam në auditorin e Universitetit atje ku edhe unë kam filluar për herë të parë i pari në gjuhën shqipe në Kosovë. Kur universiteti dhe fakulteti kanë qenë pjesë të Universitetit të Beogradit dhe me status vetëm serbisht kemi guxu me fol, unë i kam mbledhë të gjithë studentët e mi në vitin 1968 dhe kam filluar punën me të gjitha lëndët që s’kanë qenë kompetent në gjuhën shqipe, pasojat janë ndjerë më vonë.
Prandaj islamit dhe profesor Shefqetit i dëshiroj që më shpesh të na tubojë se ato tjerët dinë me i bo, dhe ta sulmojë shoqërinë e cila nuk e përkrahë këtë fakultet./Insajderi.com