Mustafa: Haradinaj bën propagandë, unë punoja deri në orën 2 të natës

Mustafa: Haradinaj bën propagandë, unë punoja deri në orën 2 të natës

Isa Mustafa ka thënë se puna më e madhe e Qeverisë Haradinaj, është propaganda e suksesshme mediatike. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë se qeveria bën propagandë përmes kryeministrit Ramush Haradinaj.

I ftuar në emisionin “Debat” në Transmetuesin Publik, ish-kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se propaganda e Haradinajt bëhet në media, të cilat sipas tij, merren me çështje të parëndësishme të kryeministrit.

“Po propaganda bëhet kështu, kur merren me faktin se çfarë po han kryeministri, si po shkon në punë – në këmbë a me makinë… Kur po zgjohet nga gjumi, kur po shkon në punë”, deklaroi Mustafa, transmeton Insajderi.

Por, Mustafa ka thënë se edhe ai vet sa kishte shërbyer si kryeministër, prej vitit 2014 deri në 2017, kishte punuar shpeshherë deri në orën 02:00 të natës. Mustafa ka thënë se nuk ka pasur nevojë t’i tregojë të gjithëve për punën që ka bërë.

“Kurrë para orës tetë unë s’kam shkuar në shtëpi, madje kam punuar edhe deri në orën 2:00 të natës, por s’i kam treguar askujt”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se Kosova duhet ta ketë një qeveri që e zbaton ligjin, teksa ka akuzuar qeverinë Haradinaj për ndërmarrjen e vendimeve të paligjshme. /Insajderi.com