
Në sheshet e Prishtinës, kohëve të fundit vërehet prezencë e shtuar e Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës tashmë ka përgatitur planin operativ me rastin e festave të fundvitit. Me qëllim që të evitohen incidentet e mundshme, qytetarët e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht kërkesat që vinë nga institucionet e rendit për maturi gjatë festave, transmeton Koha.net.
Për këtë në profilin e vet të Facebookut ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj.
Ai në vazhdim ka thënë se bashkëpunimi i qytetarëve të Kosovës me institucionet e sigurisë së vendit, do të ndihmonte që festat e fundvitit ta kenë kuptimin e vërtetë të tyre.
Në shëtitore vërehen grupe të njësisë speciale duke monitoruar sheshet fund e krye.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se situata e sigurisë është e qetë, por, sipas tyre, janë paraparë masat e nevojshme policore për të ofruar siguri të plotë për festat e fundvitit.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në angazhimet dhe planifikimet e saj, vlerëson se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, por për të mbretëruar një situatë e tillë edhe gjatë përmbylljes së këtij fundviti dhe fillimit sa më të mbarë të vitit të ri 2018 i cili është prioritet i yni, janë paraparë masat e nevojshme policore, por kërkohet edhe një përkushtim dhe vigjilencë e shtuar e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Prezenca e tyre do të jetë në lokacione dhe ambiente të hapura.
“Plani policor si pjesë shtesë parasheh edhe shtimin e prezencës dhe vigjilencës policore në lokacione dhe ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme, ku do të mbahen organizime festive, si dhe prezencën policore në trafik për orientim dhe mbarëvajtje të trafikut rrugor”, thuhet në përgjigje.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë dhe të informojnë institucionet e sigurisë për çfarëdo parregullsie apo informacioni të dyshuar, duke përfshirë edhe informacionet apo parregullsitë e mundshme në trafik