Hysen Durmishi largohet nga Komuna e Prishtinës, krenohet për një fakt

Hysen Durmishi largohet nga Komuna e Prishtinës, krenohet për një fakt

Hysen Durmishi është larguar nga pozita që mbante në Komunën e Prishtinës, si shef i drejtorisë së Infrastrukturës.

Pas largimit, Durmishi ka njoftuar në rrjetin social Facebook për largimin nga Komuna, teksa ka thënë se aty ka kaluar 4 vite me shumë punë. Ai është shprehur i bindur se me punën e tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në Komunën e Prishtinës, ka arritur rezultate.

“Për 4 vite kemi shtruar afër 400 km rrugë, shumë km kanalizime, trotuare e shumë projekte tjera. Jam shumë i lumtur për takimet e shumta me qytetarë dhe pritjet që i kam bërë për ta në zyren time. Komunikimi me ta më ka mundësuar që shumë më leht të vendos për prioritetet e investimeve”, ka thënë Durmishi.

 

Durmishi, po ashtu, është shprehur krenar për faktin se ka pritur afër 50 mijë qytetarë në zyrat e Komunës.

“I lumtur jam se qytetarët i kam bërë pjesë të vendimmarrjes. Për 4 vite në drejtorinë time i kam takuar afër 50 mijë qytetarë. Nuk besoj që ka ndonjë zyre në Kosovë që ka takuar kaq shumë qytetarë”, ka thënë ai.

“Qytetarë të Prishtinës ju dua shumë dhe ju dëshiroj gjithë të mirat. Qeverisjes në Prishtinë ju dëshiroj shumë suksese”, përfundoi Durmishi.