Salihu: Krimi i vëllezërve Ramadani dhe Kiqinës i rëndë për t’u falur

Salihu: Krimi i vëllezërve Ramadani dhe Kiqinës i rëndë për t’u falur

Të premten, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka marrë vendim për të falur të dënuarit për vrasjen e 5 anëtarëve të familjes Hajra, në mesin e të cilëve edhe tre fëmijë.  Për vrasjen e kryer në  vitin 2001, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që me dekret t’ua falë dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe Arben Kiqinës. Por, profesori i së Drejtës Penale Ismet Salihu thotë se ky rast është shumë i rëndë për t’i falur të dënuarit.

Ismet Salihu, ish-anëtar i Komisionit për faljen e të burgosurve ka thënë se veprat penale si vrasjet e rënda nuk mund të bëhet falja, duke thënë se krimi për të cilin janë dënuar vëllezërit Ramadani dhe Kiqina është jashtëzakonisht i rëndë për t’u falur.

“Për krime kundër rendit kushtetues, por edhe për krime të rënda zakonisht nuk praktikohet falja. Rasti i familjes Hajra ka qenë një krim i jashtëzakonshëm, Vëllezërit Kiqina dhe Ramadani kanë dalë disa herë në opinion duke thënë se janë të pafajshëm, por këtë duhet ta dëshmoj drejtësia”, ka shtuar Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu.

Neni 5 i ligjit për faljen, përcakton kriteret dhe rrethanat mbi të cilat bazohet falja, ku kriter i parë është pesha e krimit të kryer nga i burgosuri që ka kërkuar të falet.

“1. Kriteret të cilat shqyrtohen gjatë marrjes së vendimit mbi Faljen caktohen nga Presidenti në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi.

  1. Rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:

2.1. pesha e krimit;

2.2. rreziku i recidivizmit;

2.3. pendimi i sinqertë;

2.4. shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm.”, thuhet shprehimisht në këtë nen.

Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Pranvera kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhet në aktgjykim e këtij rasti

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e tyre.

Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Profesor Salihu ka shpjeguar se kërkesën për falje mund ta bëjë secili i burgosur, por ato fillimisht i shqyrton Komisioni i krijuar për këtë çështje, dhe propozimet e tyre i shkojnë presidentit.

“Është një procedurë aty që paraprakisht formohet një grup i ekspertëve prej 6 vetave, kam marrë pjesë edhe unë disa herë, ata i studiojnë të gjitha lëndët, e marrim mendimin e institucionit ku janë duke e mbajtur dënimin, pra burgut, edhe të gjykatës, dhe mandej e analizojnë gjithë sjelljen e secilit, sa është dënuar, sa pjesë të dënimit ka mbajt, sidomos si është sjellë gjatë mbajtjes së dënimit dhe si do të pranohet ai në rreth etj. Ky grup i ekspertëve ia dërgon Presidentit dhe ai nuk është i detyruar, po zakonisht e merr parasysh mendimin e këtij grupi punues, edhe mandej ai vendos për me fal prej 300 ose 400 personave, 30 a 50 a 3 a, varet nga ai. Pasi ta nënshkruan vendimin veç e veç, për çdo njeri me emër e mbiemër, atëherë shpallet në Gazetë Zyrtare dhe bëhet publike, dhe njoftohet shërbimi korrektues dhe opinioni”, ka shpjeguar Salihu për Gazetën Express

Ndryshe Salihu ka thënë se Institucioni i faljes duhet me qenë më i shpeshtë edhe me shumë njerëz duhet të përfshihen aty, sepse ndikon në motivim e sjelljen e të burgosurve.

“Falja nuk është e drejtë e të burgosurit, është e drejtë e shtetit, ata vetëm kanë të drejtë me kërku faljen. Përndryshe falja është një akt i mëshirës”