Majko ka mesazhe të forta për ata që po duan ta zhbëjnë Specialen

Majko ka mesazhe të forta për ata që po duan ta zhbëjnë Specialen

Ministri për shqiptarët në Qeverinë e Shqipërisë, njëherësh ish-kryeministri Pandeli Majko, ka shprehur bindjen se në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit.

Sipas tij, kërkesa për anulimin e Gjykatës Speciale po prodhon paqartësi dhe frikë për të ardhmen.

“Për arsye që kishin kuptim, hyja tek ata që kishin rezerva për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet në Kosovë. Arsyetimi nuk qëndronte në mohimin e asaj që ndodhi në Luftën e Kosovës. Ai kishte të bënte me dallimin e përmbajtjes së akteve që serbët dhe shqiptarët kryen kundër njëri-tjetrit, sidomos në periudhën e pasluftës. Në këtë histori dallimi i aksionit dhe reaksionit është i rëndësishëm. Ky dallim nuk mund të mbyllet me shprehjen se ‘krimi është krim, në çdo rast’(!). Edhe kodet penale më moderne e bëjnë dallimin”, ka thënë Majko, që konsiderohet njëri prej dashamirëve më të mirë të shqiptarëve të Kosovës.

“Aktualisht, në politikën e Prishtinës kanë filluar, me dhe pa të drejtë, të diskutojnë ‘drejtësinë’ dhe raportin e vështirë historik që krijon Gjykata Speciale për shtetin e Kosovës. Pyetja është, se pse ajo që refuzohet sot, nuk u diskutua dje kur kishte kohën?! Kjo dhe pyetje të tjera kanë kuptim më shumë se sa dhënia e përgjigjeve”, ka thënë tutje Majko.

Sipas tij, diskutimi që duhej zhvilluar dikur, tani ka një kontekst tjetër.

“Bllokimi i Gjykatës Speciale po shikohet nga ndërkombëtarët si prishje e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Vota për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës nuk ishte një akt ‘i brendshëm’ i sistemit legal të shtetit. Ajo angazhoi Gjykatën e Hagës në një raport zyrtar me shtetin e Kosovës. Edhe për këtë arsye, kjo kontratë ndërkombëtare me emrin ‘Gjykata Speciale’ u shoqërua me ndryshimin e Kushtetutës. Të gjithë partnerët e Kosovës po bëjnë thirrje sot që të mos vazhdohet në këtë drejtim absurd. Ai do të vendosë shtetin e Kosovës nën akuzë. Dhe ajo, nuk do t’i ngjajë deklarimeve të përgjithshme që harrohen nesër. Akuza do fokusohet edhe tek persona të përveçëm të cilët do të izolohen. Dhe ky do të jetë vetëm fillimi”, ka thënë Majko.

“Jam i bindur se dikush që ka qenë i gatshëm të japë jetën në Luftë, nuk do t’i frikësohej asnjë akuze të pabazuar. Shteti i Kosovës nuk është një çështje personale. E kundërta është e vërtetë. E drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal. Vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerëzit e vegjël”, ka thënë tutje ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë.

Majko ka shprehu gjithashtu bindjen se kush mendon se SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim “sovran” për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet.

“Amerikanët, sidomos ata, si miq, të duan deri në tejkalim të marrëdhënies shtetërore. Mos e dhëntë zoti, t’i kesh përballë si tradhtarë të besimit të miqësisë… Me ish-ushtarin e Luftës ata sillen me rregullat e respektit ndaj tij. Ndaj pabesisë nuk kanë rregulla. Pa dallim!”, ka thënë Majko.

“Me shpresë dhe besim uroj që viti 2018 të sjell reflektim në emër të së ardhmes së shtetit të Kosovës për këtë çështje. Në marrëveshjet ndërkombëtare ku vihet në diskutim statusi i shtetit, pendesa nuk ekziston. Kosova fitoi Luftën. Tani duhet të fitojë paqen… me veten. Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf. Ai do të masë karaktere njerzish më shumë se sa drejtësinë. Sigurisht!”, ka thënë në fund të letrës së tij ministri për shqiptarët në Qeverinë e Edi Ramës.