Jakup Krasniqi: Refuzoj “përkuljen për famë” para Rugovës

Jakup Krasniqi, është një nga figurat e vetme kryesore në hiarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në periudhën 17 vjeçare të pas luftës, ende refuzon të heshtë ndaj meritave të një prej liderëve më të njohur në politikën kosovare, presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Por është i zhurmshëm dhe akuzues ndaj dy liderëve të tjerë të luftës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët sipas Krasniqit, nderimin ndaj Rugovës e kanë veç farsë dhe mjet për të qëndruar në pushtet.

Jakup Krasniqi: Refuzoj “përkuljen për famë” para Rugovës

Sa herë që Hashim Thaçi, përmendë ose nderon presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, mediat ia rikujtojnë fjalinë ku ai kërkon “dënimin e Rugovës”, por megjithatë Thaçi sot ka arritur të krijoj imazhin e një politikani që lartëson personalitetin e “pacifistit Rugova”.

Përfaqësuesi politik i UÇK-së, tash president i Kosovës, madje ka arritur të përvetësojë edhe shprehjet e Rugovës.

Të njëjtën gjë po e shpreh edhe Kadri Veseli, ish- shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i UÇK-së, që tash udhëheqë Kuvendin e Kosovës dhe partinë e drejtuar deri vonë nga Thaçi.

Por është një tjetër, personalitet po kaq i rëndësishëm i UÇK-së dhe periudhës së pasluftës, që ende është stoik në qëndrimin e tij ndaj figurës së Rugovës.

Në fakt për  Jakup Krasniqin, i njohur zyrtarisht si zëdhënës politik i UÇK-së, Ibrahim Rugova vazhdon të mbesë një figurë për të cilën ai nuk parapëlqen të lëshojë as akuza por as të njoh ndonjë meritë.

Madje në një incizim të AP-së, pas kthimit nga Rambujeja, Kransiqi kishte bërë thirrje për “bashkim të forcave ushtarake dhe politike në Kosovë”, por megjithatë ai kurrë nuk ka nderuar Rugovën në asnjë mënyrë, as pas vdekjes së Rugovës, kur edhe ka ndryshuar diskursi i shumicës së drejtuesve të UÇK-së për presidentin.

Njohje të meritave të Rugovës, Krasniqi nuk i ka bërë as këtë 24 maj (Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës) ku nderohet personaliteti i presidentit të ndjerë.

Dhe Krasniqi ka ndërmend ta vazhdojë këtë “traditë” edhe pse nuk e përjashton mundësinë që ai ta nderojë në ndonjë formë Ibrahim Rugovën

“Jetës kurrë nuk i dihet. Nuk mund të themi kurrë sepse mund të ndodhë gjithçka, por nuk do ta nderoja kurrë ashtu sikurse bëjnë Thaçi e Veseli”, ka thënë Krasniqi, për Insajderin, duke komentuar shkrimin e publikuar në profilin e tij në Facebook.

“Nderimi bëhet për parime por Thaçi dhe Veseli nuk e bëjnë këtë nderim për parime, por për pushtet. Për vota”, shtoi Krasniqi duke folur për Insajderin.

Thaçi e Krasniqi kanë pasur “paqe” sa i përket Rugovës deri në momentin kur Krasniqi braktisi PDK-në, ndërsa Veseli si udhëheqës i Shërbimit Inteligjent të Kosovës (SHIK) nuk kishte qëndrime ndaj Rugovës deri sa në mënyrë të rrufeshme u ngjit në krye të PDK-së.

Krasniqi,  që së bashku me Limajn – ish-komandant i UÇK-së dhe një nga njerëzit më të fuqishëm në këtë ushtri – krijuan partinë e tyre NISMA, ka akuzuar në këtë shkrim Thaçin e Veselin që për hir të votave janë shndërruar nga “penguesit kryesor të Rugovës” në nderuesit më të mëdhenj të Rugovës.

“Pengesa kryesore për mos bashkimin e popullit e të politikës në luftën çlirimtare ishit Ju dy. Tani nuk kemi as një dyshim, atë e paskeni bërë, për të ruajtur pushtetin tuaj mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi, duke iu drejtuar Veselit dhe Thaçit.

Ai thotë se kurrë nuk do ta bënte të njëjtën gjë.

“Unë kurrë nuk kam punuar për votat e mija ose për pushtetin tim, por për vendin, andaj nuk kam bërë asgjë më shumë e as më pak sesa të punoj për vendin tim”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Krasniqi shkruan se këtë pohim e thotë me bindje pasi përkulja e Thaçit dhe Veselit tek varri i Rugovës, “nuk ka asnjë fije sinqeriteti e pendimi”.

“ E bëni për pushtetin tuaj personal e jo pse ju han malli për të ndjerin Rugova apo sot ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetin me ekonomi të zhvilluar, shtetin e dijes apo të drejtësisë sociale”, ka shkruar Krasniqi në një tekst të gjatë ku përmendet edhe Fondi 3% dhe Vendlindja Thërret si dy fonde që Thaçi dhe Veseli me qëllim nuk i kanë bashkuar.

Dhe sipas tij, krejt kjo farsë e Thaçit dhe Veselit tregohet nëpërmjet një pyetje të cilën ai e shtron në opinionin e tij të shkruar.

“Interesi i kombit për bashkim ishte, para, gjatë e në vitet e para të pas luftës çlirimtare për të qenë bashkë, nderuar e respektuar njëri – tjetrin. Pse nuk e bëtë asnjë përpjekje të vetme për atë bashkim kur ishte domosdoshmëria, por e bëtë vetëm pas vdekjes së tij?”, shkruan Krasniqi.

Kësisoj Rugova mbetet një “fantazmë” që ende trazon skenën politike të dalë nga lufta, dhe duket sikur kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë./Insajderi.com