Gjashtëmbëdhjetë veta kanë konkurruar për postin e kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit Prishtina. Katër prej tyre nuk kanë arritur të dëshmojnë që nuk janë nën hetime. Megjithatë, bordi i drejtorëve ka ftuar për intervistim edhe katër konkurrentet që nuk kanë dorëzuar këtë dokument të kërkuar nëpërmjet konkursit publik.
Bordi i drejtorëve të ndërmarrjës publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal-Prishtina”, ka vendosur që të ftoi për intervistim të gjithë kandidatët që kanë konkurruar për postin e kryeshefit ekzekutiv.
Nëpërmjet një kumtese për media, kjo ndërmarrje ka njoftuar se ky vendim është marrë për hir të transparencës.
“Bordi i Drejtorëve të KUR”Prishtina” sh.a… ka vendosur, që për hir të transparencës, të u’a krijoj mundësinë të gjithë kandidatëve që aplikuan për këtë pozitë t’i ftojë në intervistë, pa dallim, me kusht që të gjithë prej tyre gjate intervistimit të sjellin me vete dhe prezantojnë para komisionit dokumentet origjinale të kërkuara sipas kritereve të konkursit të datës 21.03.2016”, thuhet në kumtesën e kësaj ndërmarrje publike.
Aty nuk tregohet se për çfarë dokumente të munguara bëhet fjalë. Insajderi ka mësuar se disa prej kandidatëve për kryeshef ekzekutiv nuk kanë arritur që të sjellin dëshminë që nuk janë nën hetime. Kjo është një prej kërkesave të konkursit publik të shpallur nga bordi drejtues i Ujësjellësit Prishtina.
Mungesa e këtij dokumenti nënkupton përjashtimin nga gara për postin e zyrtarit më të lartë në një ndërmarrje publike.
Megjithatë, në vend të eliminimit nga gara Bordi i Drejtorëve ka vendosur për të kundërtën-intervistimin e tyre pas reagimit që kanë bërë kandidatët që i’u ka munguar ky dokument.
Insajderi ka mësuar se për postin e kryeshefit ekzekutiv kanë konkurruar 16 veta. Katër prej tyre nuk kanë arritur të dëshmojnë që nuk janë nën hetime. Ata janë: Florent Hoxha, Ylber Zabërgja, Osman Sylani dhe Arsim Mehmeti. Ndërsa 12 të tjerët që e kanë dorëzuar këtë dokument janë: Kujtim Xhelili, Irfan Fejzullahu, Zijadin Lutolli, Bashkim Halabaku, Naim Krasniqi, Selim Lulaj, Bujar Sadiku, Bekim Jupa, Agron Haxhiu, Bekim Jakupi, Bekim Lushaku dhe Ilir Abdullahu.