Vazhdon keqtrajtimi i qenve – luftë deri në përgjakje në një fshat të Kosovës

Vazhdon keqtrajtimi i qenve – luftë deri në përgjakje në një fshat të Kosovës

Një organizim ku keqtrajtohen qenët deri në përgjakje ka ndodhur sot në fshatin Vojnovc të komunës së Shtimes. Ky tubim ishte organizuar për orën 11, ku qenët do të luftonin deri në përgjakje. Numri i personave që sipas policisë kanë marrë pjesë ka qenë të paktën 10 persona, raporton Insajderi.

Përleshja e dy qenve është transmetuar drejtpërdrejt edhe në rrjetin social Instagram. “Obamadobrava” është llogaria që ka transmetuar gjithçka drejtpërsëdrejti këtë përleshje, që nga grumbullimi i qenve e deri tek përfundimi i luftës mes tyre.

Në transmetimin e kësaj lufte shihen afër 30 persona prezent, ndërsa aty gjenden edhe të miturit. Në këtë transmetim, shihet lufta afër 20 minuta e qenve që nxiten nga personat prezentë për luftë.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës i ka thënë Insajderit se ka pranuar një informacion të tillë por se në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur askënd. Agim Gashi zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka thënë se policia po vazhdon ta hetojë rastin.

“Policia e Kosovës ka pranuar një informatë të tillë, ku menjëherë policia ka dal në vendin e ngjarjes. Mirëpo personat janë larguar dhe deri më tani nuk ka ndonjë informatë më shumë për ta. Policia është duke e hetuar rastin edhe më tej”.

Insajderi kishte raportuar edhe gjatë javës së kaluar lidhur me keqtrajtimin e qenve kur një person nga komuna e Istogut, i detyronte qenët e tij të luftonin deri në vdekje. Ky rast aktualisht është duke u hetuar nga prokuroria./Insajderi.com

 

 

Qytetari nga Istogu që përgjakë qentë nuk i frikësohet as policisë