Nxënësit kosovarë nuk do të vlerësohen më përmes notave me numra

Nxënësit kosovarë nuk do të vlerësohen më përmes notave me numra

Nota 5 në libreza të nxënësve tashmë është zëvendësuar me “arritje të plotë të rezultateve”.

Nxënësit e klasave të para dhe të dyta nuk janë notuar numerikisht.

Mësimdhënësja Selvete Mujaj ka bërë të ditur se në shkollën “Faik Konica”, ka filluar së aplikuari vlerësimi përshkrues sipas udhëzimit administrativ, duke treguar kështu përshkrimin për secilin nivel të nxënësit.

“I pari është Arritje e Plotë e Rezultateve të të Nxënit të Lëndës; e dyta është Arritje e Kënaqëshme të të Nxënit të Lëndës; Arritje Mesatare pastaj, dhe Arritje Minimale e fundit”, ka thënë Mujaj për Kohavision.

Por, sipas saj, kjo formë u mundëson edhe prindërve që të kërkojnë më shumë llogari nga mësimdhënësit për rezultatin e fëmijëve të vet.

Edhe në shkollën model “Qamil Batalli”, po aplikohet ky vlerësim.

Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se nuk bëhet fjalë për eksperiment, ndaj dhe kjo formë e vlerësimit të nxënësve do të vazhdojë.

“Konsideroj se është diçka e mirë sepse është bërë edhe në kuadër të standarteve”, ka thënë Kadriu.

Klasat e para dhe të dyta, përveç gjatë orës mësimore, këtë lloj vlerësimi do ta kenë në vazhdimësi.

Ndryshimi i vetëm do të jetë se kur të përfundohet edhe klasa e dytë, nxënësit suksesin do ta kenë me shkronja.

Shkronja A, tregon nivelin e lartë të mësimnxënies deri te shkronja C, ku tregon për sukses të mjaftueshëm për nxënësit. /Insajderi.com