Diskutimi i Vuçiqit me serbët e Kosovës: ata kanë kërkesa “të çuditshme”

Një qytetare me emrin Danijela nga Dobrotini, e ngriti tek presidenti i Serbisë çështjen e burrit të saj të dënuar me 14 vjet burgim nga EULEX-i dhe që po mbahet në Mitrovicën e Veriut. 

Diskutimi i Vuçiqit me serbët e Kosovës: ata kanë kërkesa “të çuditshme”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përfunduar vizitën e tij me një diskutim të gjatë me qytetarët serbë të Kosovës, në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë të Komunës së Graçanicës.

Vuçiq ishte ulur pranë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një binë të Qendrës së Kulturës, teksa shumë qytetarë serbë ishin mbledhur për të diskutuar me presidentin serb.

Diskutimi që filloi rreth orës 18:00, zgjati më shumë se pesë orë. Me të shkuar në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë, Vuçiq deklaroi se është i hapur për çdo problem që qytetarët mund të kenë.

“Faleminderit shumë dhe unë jam gati të ju dëgjoj për problemet e juaja dhe të shoh se çfarë mund të bëjë që të ju ndihmojë”, tha fillimisht Vuçiq, para se të fillonte diskutimi me serbët e Kosovës, shkruan mediumi serb TV Pink.

E problemet për të cilat kërkonin ndihmë serbët e Kosovës ishin sa të shumta, aq edhe të pazakonshme, shkruan Insajderi.

Një qytetare me emrin Danijela nga Dobrotini, e ngriti tek presidenti i Serbisë çështjen e burrit të saj të dënuar me 14 vjet burgim nga EULEX-i dhe që po mbahet në Mitrovicën e Veriut.

Vuçiq i tha serbes nga Dobrotini që të “qëndroj në Kosovë dhe të ngris zërin për këtë çështje”.

Një qytetare nga fshati Videjë e Klinës i kërkoi Vuçiqit ndihmë për t’ia rregulluar një çati. Vuçiq i premtoi asaj ndihmë.

“Do t’i gjejmë njerëzit që do të merren me problemin tuaj”, ishte përgjigja e Vuçiq.

Një qytetarë serb nga fshati Suhogorilë e Istogut, me emrin Milan, u ankua tek presidenti serb për kushtetet e tij ekonomike. “Unë punoj, por fitoj vetëm 15 euro për ditë”, deklaroi ai.

Edhe për këtë qytetar, Vuçiq premtoi ndihmë.

Vizita e Aleksandar Vuçiq në Kosovë filloi sot paradite, kur presidenti i Serbisë vizitoi Manastirin e Banjskës, teksa më vonë u takua edhe me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Fakultetin Teknik të Mitrovicës së Veriut.

Vizita e tij u mbyll në orët e mbrëmjes, pas mbylljes së diskutimit me qytetarët serbë të Kosovës, në Llapnasellë. /Insajderi.com